Skip to content

Plagosi 30-vjeçarin me armë/ Arrestohet pas disa minutash autori, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja (EMRAT)

Policia ka arrestuar Gjergj Marku, 55-vjeçari i cili plagosi në Malësinë e Madhe Mati Pemajn.

 

Blutë njoftojnë se pas disa minutash ndjekjeje, është kapur dhe vënë në pranga autorin, ndërsa në gjendje të lirë u procedua edhe bashkëshortja e këtij të fundit.

 

30-vjeçari Mati Pemaj ndodhet në spital për ndihmë mjekësore dhe jashtë rrezikut për jetën.

 

Malësi e Madhe

 

Plagosi me armë zjarri një shtetas dhe tentoi të largohej nga vendi i ngjarjes, falë reagimit në kohë të shërbimeve të Policisë, kapet dhe vihet në pranga 55-vjeçari.  

 

Shërbimet e Policisë, pas njoftimit se në vendin e quajtur “Qafa e Bardelecit”, në fshatin Vermosh, Malësi e Madhe, ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në këtë adresë. Nga veprimet e para hetimore rezultoi se pas një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Gj. M. kishte plagosur me armë zjarri pistoletë, në dorë, shtetasin M. P., 30 vjeç, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, shtetasi Gj. M. ka dëmtuar automjetin e shtetasit D. Q. dhe e ka kanosur atë, pasi i ka ofruar ndihmë shtetasit të plagosur. 

 

Falë veprimeve të shpejta operacionale, pas disa minutash ndjekjeje, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe vënë në pranga autorin e dyshuar, shtetasin Gj. M., 55 vjeç.  

 

Në vijim të veprimeve, nisi procedimi në gjendje të lirë për bashkëshorten e shtetasit Gj. M., shtetasen E. M., pasi ka qenë prezente gjatë konfliktit dhe ka kanosur shtetasin D. Q.    

 

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.