Presidenti i SHBA-së Donald Trump, në letrën që I ka dërguar homologut të tij Aleksandër Vuçiç, ka theksuar se nuk duhet lëshuar një mundësi unike për të arritur një zgjidhje për Kosovën.
Në letrën e tij presidenti Trump, thekson se SHBA vlerësojnë udhëheqjen e tij.
“Ishte kënaqësi t’ju takoj në Paris gjatë kremtimit të Ditës së Paqes. Shtetet e Bashkuara të Amerikës e vlerësojnë udhëheqjen tuaj, veçanërisht në sigurimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Ndërsa hyni në fazën përfundimtare të arritjes së një marrëveshjeje me Kosovën që do të sjellë paqen afatgjatë në rajon, ju inkurajoj që të përfitoni nga ky moment dhe të përdorni udhëheqjen politike në marrjen e vendimeve që do të kënaqin interesat e të dy vendeve. Do të ishte një disavantazh i madh të humbasë këtë mundësi unike për paqen, sigurinë dhe rritjen ekonomike. Unë gjithashtu ju bëj thirrje të dyja palëve të arrijnë një marrëveshje mbi normalizimin sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të përmbahet nga aktet që e bëjnë më të vështirë. Marrëdhëniet paqësore dhe produktive midis Serbisë dhe Kosovës do të ishin një moment historik për rajonin. SHBA janë të gatshme të ndihmojnë. Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është afër. I gëzohem faktit t’ju pres juve dhe presidentin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë për të festuar atë që përbën një marrëveshje historike”.
Ndërkohë një letër të ngjashme presidenti Trump i ka dërguar edhe presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
