Skip to content

SPAK: Kemi prova për “Bukën” e Ahmetajt/ Ish-zv.Kryeministri: Duan të më mbyllin gojën

Vizion Plus ka siguruar dosjen e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj, i cili është rimarrë i pandehur për privatizimin e fabrikës së bukës te 5 maji.

 

Në materialin hetimor thuhet se në mënyrë të qëllimtë, Ahmetaj ka favorizuar Lirim Fezollarin, për t’i sjellë atij përfitime monetare, por nga ana tjetër ka dëmtuar familjen Myderizi, e cila e ka kallëzuar në SPAK.

 

Ahmetaj ka nxjerrë në ankand truallin e tyre pa përcaktuar formulën e shitjes. Sipas organit të posaçëm të akuzës, kjo është provuar nga tabulatet  qe tregojne komunikimin mes ish ministrit  dhe personit te favorizuar.

 

SPAK

Rezulton e provuar se i pandehuri Arben Ahmetaj njihej me shtetasin Lirim Fezollari, pasi është evidentuar komunikimi me sms në vitin 2019 dhe më tej kur sërish është dërguar sms në drejtim të Arben Ahmetaj në vitin 2020. Arben Ahmetaj Ministri i Financave dhe i Ekonomisë në kohën e kryerjes së veprës penale, veprimet i ka kryer me dashje për të arritur qëllimin e tij duke shpërdoruar detyrën si dhe duke i sjellë përfitme materiale shtetasit Lirim Fezollari, në dëm të trashëgimtarëve të familjes Myderizi.

 

Lidhur me akuzën e shpërdorimit të detyrës për privatizimin e Fabrikës së Bukës, ka reaguar nga arratia në Facebook ish- numri dy i qeverisë, Arben Ahmetaj i cili thotë se procedura e privatizimit ka nisur në 2004 përpara se ai të drejtonte Ministrinë e Financave.

 

ARBEN AHMETAJ

ISH- MINSTËR I FINANCAVE

Akti II i tragji-komedisë së politiko-drejtësisë. Kjo është dosja e famshme e privatizimit të shoqërisë Buka sh.a për ata që duan të kuptojnë të vërtetën. Më gjeni nëse mundeni, ku është shkelur ligji nga ana ime si Ministër i Ekonomisë?  Dhe si ka mundësi që lajmi doli së pari në mediat e inceneratorëve? E bëjnë për presion? Për të më penguar të flas? Nuk do ndodhë… Por mund të ndodhë, ndoshta, që të thyej një rekord në raport me drejtësinë shqiptare, të bëhem i pari zyrtar që akuzohem për shpërdorim detyre sepse kam mbrojtur në bazë të ligjit, aksionet dhe interesin e shtetit…Gjithçka mund të ndodhë, jetojmë në Tiranë!

 

Hetimet për ish-numrin dy të qeverisë për këtë vepër penale kanë filluar pas kallëzimit të bërë nga familja Myderizi në vitin 2018, e cila është viktimë në këtë proces, si trashëgimtare e pronës së paluajtshme.

 

Përmes këtij veprimi, Arben Ahmetaj lejoi që tek prona e kësaj familjeje të ndërtohet një kompleks pallatesh. Prokuroria e Posaçme ka veçuar çështjen edhe për zyrtarë të tjerë që mund të jenë të përfshirë, bashkë me pronarin e kompleksit të ndërtuar te ish-fabrika e bukës.

 

Ndërsa, aktualisht, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj është në kërkim ndërkombëtar për tri vepra  penale korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie me inceneratorin e Elbasanit.