Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka reaguar pas deklaratës së nënkryetarit të Partisë Demokratike, Kreshnik Çollaku, lidhur me dakodësinë që qeveria dhe opozita arritën për Rezolutën e Kosovës.
Sipas Sulës, Kosova nuk mund të përdoret për një lojë politike, teksa shton drafti i dakordësuar është unifikim i qëndrimit të Republikës së Shqipërisë me qëndrimin e Republikës së Kosovës.
“Kur flitet për Kosovën, sulmi ndaj kolegëve, për politikë të ditës, nuk nderon askënd. Përkundrazi, i përshfaq në sytë e opinionit publik si qesharakë që kanë humbur rrugën dhe nuk dinë ende se çfarë duan dhe për çfarë flasin. Një javë më parë në seancë plenare “Lideri i tyre” thërriste miratoni Rezolutën e Kosovës, sot fshihet dhe bërtet pse po miratoni Rezolutën e Kosovës”, thuhet në reagimin e Sulës.
Reagimi i plotë
Prej 2 javëve në Kuvendin e Shqipërisë janë depozituar dy draft Rezoluta nga grupet parlamentare të PD dhe PS. Palët gjetën dakordësi sot për të dalë me një qëndrim të përbashkët, që në fakt është qëndrimi i institucioneve të Kosovës.
Kushdo që për “politikë të ditës” sillet sikur e do Kosovën më shumë se vetë Kuvendi i Kosovës, nëse kishte çështje apo propozime, ishte i lutur të paraqiste Amendamente, sic Rregullorja e Kuvendit e parashikon. Shënimet në facebook nuk janë as punë dhe as ndihmë për çështjen e Kosovës.
Kur flitet për Kosovën, sulmi ndaj kolegëve, për politikë të ditës, nuk nderon askënd. Përkundrazi, i përshfaq në sytë e opinionit publik si qesharakë që kanë humbur rrugën dhe nuk dinë ende se çfarë duan dhe për çfarë flasin. Një javë më parë në seancë plenare “Lideri i tyre” thërriste miratoni Rezolutën e Kosovës, sot fshihet dhe bërtet pse po miratoni Rezolutën e Kosovës.
Drafti i dakordësuar është unifikim i qëndrimit të Republikës së Shqipërisë me qëndrimin e Republikës së Kosovës. Mbështetja e qëndrimeve të Kosovës është e vetmja rrugë për të qenë sot krah saj! Të tjerat janë “politikë dite”për t’u shfaqur që ekzistojnë!
