NGA VALENTINA MADANI/ Kuvendi rrëzoi dje dy kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe koncesionet ne shëndetësi.
Gjithashtu u rrëzua dhe kërkesa e Gazment Bardhit për ndryshimin e përbërjes së Komisionit të Reformës Zgjedhore.
“Rrëzohet me 70 vota kërkesa për komision hetimor për daljen e të dhënave personale. Rrëzohet me 71 vota kërkesa për komision hetimor për koncesionet në shëndetësi. Rrëzohet me 71 vota kërkesa e Bardhit për ndryshim të Komisionit të Reformës zgjedhore”, – njoftoi Kuvendi.
Në mbyllje të seancës plenare dedikuar çështjes së Kosovës, kryeparlamentarja Lindita Nikolla lexoi një njoftim të ardhur nga Lulzim Basha, ku thuhet se Gazment Bardhi nuk është më kryetar i grupit parlamentar të PD-së. Kjo nxiti debate në sallë dhe duket se deputetët e PD-së, një pjesë e të cilëve kishin bllokuar foltoren nuk ishin dakord me këtë njoftim të ardhur nga Basha.
“Bazuar në detyrimin ligjor të pikës 2 të nenit 16 të rregullores së Kuvendit, në mbështetje të vendimit të Kryesisë së PDsë, bazuar në nenet 22, 26 dhe 48 të statutit dhe nenit 3 të rregullores së brendshme të grupit parlamentar të PDsë, ju informojmë se Gazment Bardhi nuk është më pjesë e grupit parlamentar të PD-së duke filluar që nga data 9 Tetor 2023, si pasojë e mbarimit të anëtarësisë së PD-së”, – u shpreh zj.Nikolla.
Por, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, e konsideroi të paprecedentë sjelljen e kryeparlamentares së Kuvendit, Lindita Nikolla, në seancën e djeshme parlamentare që lexoi njoftimin e Lulzim Bashës për përjashtimin e Bardhit nga grupi i PD. Po kështu, Bardhi akuzon kryeministrin Rama se ka marrë peng Reformën Zgjedhore, si dhe dënon rrëzimin e komisioneve hetimore parlamentare të kërkuara nga opozita.
“Nervozizmi i Edi Ramës për unifikimin e qëndrimit të Shqipërisë me atë të Kosovës, nuk u shfaq vetëm me mungesën e tij skandaloze në votimin për Rezolutën për dënimin e Serbisë, por edhe nga sjellja e paprecedentë e Kryetares së Kuvendit në fund të seancës së sotme të posaçme. Marrja peng nga Edi Rama e reformës zgjedhore dhe rrëzimi i Komisioneve Hetimore të kërkuara nga opozita, si dhe ndërhyrja në kundërshtim me Rregulloren e Kuvendit e Kryetares së Kuvendit në punët e brendshme të grupit parlamentar të PD-së, përbën aktin më të pashembullt në historinë e pluralizmit politik që mbyll çdo hapësirë institucionale për opozitën në Parlament”, – thuhet në reagimin e Gazment Bardhit.
Seanca e djeshme, e cila nisi në orën 10:00 zgjati deri në orën 17:00 të pasdites, nisi me një minutë heshtje për viktimat e luftës mes Izraelit dhe Hamasit. Për Berishën, fjalimi i Ramës ishte shkruar në zyrën e Vuçiç.
Në fund të seancës pas votimit të rezolutës, opozita bllokoi foltoren pasi nuk pranonte që Nikolla të hidhte në votim projektligjet që u shtynë seancën e kaluar. Kuvendi rrëzoi me 70 vota dy kërkesat e opozitës për ngritjen e Komisioneve Hetimore për rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS dhe koncesionet ne shëndetësi.
Gjithashtu u rrëzua dhe kërkesa e Gazment Bardhit për ndryshimin e përbërjes së komisionit të reformës zgjedhore. Ish-kryeministri Sali Berisha tha se ky veprim i kryeparlamentares, Nikolla ishte jo vetëm tinëzar, por një akt rrugaçërie i papërsëritshëm.
“Në një mënyrë tinëzare, banditeske, e keqpërdorura në shkallë ekstreme që kryeson seancat e parlamentit, futi çështjet themelore, kërkesat e opozitës për komisione hetimor parlamentare dhe vendimin e Edi Ramës për t’i përcaktuar opozitës në reformën zgjedhore, AliBashën. Ju e patë vetë se çfarë skene e shëmtuar ishte kjo. Një skenë e tillë mund të ndodhë vetëm në parlamentin e Bjellorusisë. Faktikisht ky është përjashtimi i opozitës nga parlamentit. Faktikisht ky është ekzekutimi i pluralizmit politik në parlament”, – tha Berisha.
