Skip to content

“E ngritëm nga zero”- Drejt fundit të mandatit, kreu i KLP: Vitet e fundit, më të vështirat në historikun e Prokurorisë Shqiptare

Kreu i KLP-së, Alfred Balla, gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, ku po prezantohen platformat e kandidatëve për prokurorë të rinj në SPAK, tha se vitet e fundit kanë qenë ndër më të vështirat për Prokurorinë shqiptare.

“Vitet e fundit kanë qenë më të vështirat në historikun e Prokurorisë Shqiptare. Ju u vutë në një sprovë besimi, në një trysni të fortë morale dhe juridike. Një pjesë prej jush ia doli dhe është këtu mes nesh,” tha Balla.

Duke qenë në përfundim të mandatit, Balla bëri edhe një bilanc të punëve të fundit në drejtimin e Këshillit, për të cilin tha se është ngritur gjithçka nga e para.

“Procesi i Vetting-ut që kaluat ishte një sfidë e vërtetë. Në fund të mandatit tim do më duhet të bëj një bilanc të punës, ndihem krenar. E ngritëm nga zero, pa zyra, pa administratë.

Me sfidën e largimit të 5 anëtarëve ndër vite nga KPA kemi zbërthyer dhe aplikuar formulën e re të qeverisjes së Prokurorëve.

Në kohë rekord kemi ngritur Prokurorinë e Posaçme, fillimisht me 8 dhe sot jemi në prag të plotësimit të saj me 20 prokurorë.

Emëruam drejtuesin e Byrosë së Hetimit në SPAK. Menaxhuam në periudhën më të vështirë sistemin e prokurorisë,” tha kreu i KLP-së.

Asambleja e përgjithshme e prokurorëve do të zgjedhë 3 anëtaret e rinj në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Mandati u ka përfunduar Bujar Sheshit nga Apeli dhe 2 nga shkallët e para, Esmeralda Keshit e Eloida Goxhit.

Kandidate për vakancën nga radhët e Apelit janë Afërdita Ndoi dhe Moisi Duda. Ndërsa për shkallet e para janë Edina Kurti, Durrës; Edlira Bako, Elbasan; Elsa Miha, Tiranë; Olger Minaj Korçë; Vatë Staka, Shkodër.

“”