Zociana Stambolliu, shqiptaro-grekja që është diplomuar në një program master në Kolegjin e Evropës në Bruzh dhe gjithashtu tre vjet më parë u zgjodh presidente e shoqatës së të diplomuarve në këtë institucion prestigjioz, shprehet se kampusi i ri në Tiranë do t’i vlejë të gjithë rajonit.
ZOCIANA STAMBOLLIU
ISH STUDENTE, KOLEGJI I EUROPES, BRUGES
“Ky kampus i ri ka ambicien që të pengojë atë që quhet ‘ikja e trurit’, duke nxitur të rinjtë të kthehen në rajon falë nivelit të lartë të edukimit, që ofron kolegji i Evropës. Duhet theksuar gjithashtu se kjo nuk është vetëm një eksperiencë akademike, por mbi të gjitha intelektuale që të jep mundësinë të ndërtosh edhe miqësi të forta.”
Zociana nënvizon se çdo student fiton një status përmes studimeve pasuniversitare që ofron kolegji në tre kampuset e tij. Por sigurisht kërkesat janë sfiduese.
“Vërtet janë tre kampuse por mbetet vetëm një formulë që përfaqëson kolegjin e Evropës. Kualifikimet e larta akademike qëndrojnë në krye të kushteve ndërsa të qenit tepër kurioz është një nga aftësitë specifike që do t’ju ndihmonte. Gjithashtu pasioni për të sjellë ndryshime në botë dhe mbi të gjitha dëshira për t’u rritur e për të mësuar nga njerëzit dhe kulturat e ndryshme.”
E pyetur mbi përvojën me studentët shqiptarë në kampusin e Bruzh dhe Natolin, ekspertja e teknologjisë dixhitale, nuk i kursen fjalët e mira.
“Studentët shqiptarë, pavarësisht kushteve sfiduese, nuk duhet të ngurrojnë. Unë kam takuar disa prej tyre në kampusin në Bruzh dhe Natolin, ata e kanë treguar potencialin e tyre, jo vetëm në anën akademike por edhe profesionale.”
Vitin e ardhshëm akademik, kampusi i Kolegjit të Evropës në Tiranë do të ofrojë 31 kuota në programin master një vjeçar, “Master i Arteve në Transformimin dhe Integrimin Evropian-BE dhe Evropa Juglindore”.
Aplikimet online kanë nisur dhe do të vazhdojnë deri më 16 janar, ndërsa tarifa e plotë e studimit është 27 mijë euro.
Kolegji i Evropës është institut pasuniversitar, i pari në botë me fokus në studimet evropiane. U themelua në vitin 1949 nga liderë të rëndësishëm evropianë, si Salvador de Madariaga, Winston Churchill, Paul-Henri Spaak dhe Alcide De Gasperi.
Mban statusin e Institucionit të Interesit Publik, që funksionon sipas ligjit belg.