Policia dhe SPAK zbarkuan ditën e sotme (23 Tetor) në vilën e Jamarbër Malltezit, në Gjirin e Lalëzit, me qëllim sekuestrimin e pasurive të tij. Efektivët janë parë të largohen vetëm pas dy orësh nga ambientet e banesës.
Malltezi ndërkohë ndodhet pas hekurave, ndërsa pritet rivlerësimi i masës së sigurisë dhe qëndrimi që do të mbajë Gjykata e Posaçme.
Më herët, dy përfaqësues të policisë së Shtetit nga Drejtoria e Krimit Ekonomik hynë brenda vilës për të vendosur sekuestron preventive.
Malltezi akuzohet për veprën penale “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën për privatizimin e ish kompleksit Partizani.
Sipas SPAK, Malltezi duke shfrytëzuar pushtetin e ish kryeministrit ka arritur të marrë përfitimet e parregullta.
“Nga ana e shtetasit Sali Berisha në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime aktive për kryerjen e kontrolleve administrative, me qëllimin e ushtrimit të presionit dhe dhënien e urdhërave konkrete, për konkludimin e procedurave të privatizimit, në favor ndër të tjerë, edhe të shtetasit Jamarber Malltezi., bashkëshorti i vajzës së tij”, thotë SPAK.
