Skip to content

Rama hesht për Berishën/ Shumica socialiste nuk ka komentuar akuzat e SPAK ndaj ish-kryeministrit

I ndodhur në Vlorë për të ndjekur nga afër ecurinë e disa projekteve në infrastrukturë në këtë qark, kryeministri Edi Rama refuzoi të jepte një qëndrim për çështjen “Berisha”. I pyetur nga gazetarët për hetimin e Sali Berishës nga SPAK pasi akuzohet për korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”, kreu i qeverisë ndaloi për të dhënë përgjigje për “Lungomaren 3”, por jo për paraardhësin e tij që prej pesë ditësh po trazon politikën.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Ik tani, mirupafshim.

 

Që prej së shtunës ku ish kryeministrit Sali Berisha i kërkohet të shkojë në gjykatë për tu njohur me masën e sigurisë por ai refuzon nën argumentin se është antikushtetuese, socialistët kanë heshtur. Edhe të merkurën në përfundim të mbledhjes së qeverisë, Mirela Kumbaro, Ministrja e Turizimit dhe Mjedisit përdori të njëjtin togfjalësh që mazhoranca qeverisëse artikulon edhe kur të sajët i bien në rrjetën e SPAK.

 

MIRELA KUMBARO

MINISTRE E TURIZIMIT DHE MJEDISIT

 

Kemi besuar që ai mund të veprojë i lirë nga të gjitha interpretimet që mund të bëjë ekzekutivi.

 

Heshti për atë që po ndodh me liderin historik të Partisë Demokratike por jo për tu thënë vlonjatëve se deri në pranverën e ardhshme punimet për ndërtimin e “Lungormare 3” do të jenë mbyllur.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

 

Do ta çojmë lungomare, siç e kam thënë deri në fund të botës. Dmth një vlonjat po të niset sot dhe po të dojë mund të shkojë deri në fund të botës.

 

Pas Vlorës, Edi Rama do të jetë në Dhërmi, Borsh e Ksamil me vëmendjen kryesore te masat që duhet të merren për përgatitjen e sezonit të ardhshëm turistik.