Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i cili u shfaq në Parlament duke mbajtur flakadanë thotë se aksioni opozitar që ka nisur do të vazhdojë dhe madje kërkon reagim më të fortë.
I ftuar në emisionin “Opinion”, Salianji u shpreh se tre janë kërkesat që ata kanë. E para ngritja e komisioneve hetimore, e dyta komisioni i reformës zgjedhore dhe e treta të mos mbahet peng vullneti i shumicës së grupit parlamentar të PD për drejtimin e partisë.
“Nuk ka të bëjë me asnjë ngjarje që ka ndodhur në Shqipëri, me asnjë personazh. Ne kemi tre kërkesa:
1-Kërkojmë ngritjen e komisioneve hetimore, kemi kërkuar 8 dhe janë rrëzuar të teta.
2-Komisioni i reformës zgjedhore, i cili është bërë në mënyrë bipartizane. Grupi Parlamentar i PD propozon kush janë përfaqësuesit e vet. Ndërsa Edi Rama është mësuar ta zgjedhë. Kërkon debat të trukuar. Ne po kërkojmë këtë që na jep kushtetuta dhe ligji
3-Të mos mbajnë peng vullnetin e shumicës së grupit parlamentar të PD për drejtimin e partisë”, tha Salianji.
Ndërsa i pyetur nëse është kjo forma për të ardhur PD në pushtet, Salianji u përgj jo, por theksoi se nuk po kërkojnë pushtet, por respektim të Kushtetutës.
Pyetje: A mendoni se kjo formë ju sjell në pushtet?
Salianji: Nuk po kërkojmë pushtet. Mendoj se në pushtet PD nuk vjen në pushtet duke bërë këto akte, as duke qenë e ngurtësuar. Por PD duhet të hapet, të përfshirë profesionistë me kredibilitet, të japë alternativën e saj. Ne sot po kërkojmë të zbatohet kushtetuta.
