Ushtria izraelite njoftoi se 10 pengje izraelite, gra dhe fëmijë dhe 4 tajlandezë nga Rripi i Gazës nën bllokadë iu dorëzuan Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Në deklaratën e zëdhënësit të ushtrisë izraelite thuhet se zyrtarët e Kryqit të Kuq njoftuan se 10 pengje izraelite, gra dhe fëmijë të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës si dhe 4 shtetas tajlandezë iu dorëzuan zyrtarëve të Kryqit të Kuq.
Midis Hamasit dhe Izraelit u arrit marrëveshja për të zgjatur nga e marta në të enjten “pauzën humanitare” në konfliktin në Rripin e Gazës. Në kuadër të marrëveshjes, u vendos që çdo ditë të lirohen 10 pengje, gra dhe fëmijë izraelitë në Gaza dhe 30 gra dhe fëmijë të burgosur nga burgjet izraelite.
Ushtria izraelite kishte raportuar se 2 izraelitë të liruar nga Hamasi mbërritën në vendin e tyre në mbrëmje. Ndërsa Hamasi deklaroi se dy pengjet në fjalë ishin shtetas rusë dhe theksoi se këta pengje u liruan për shkak të përpjekjeve të presidentit rus Vladimir Putin.
Mediat izraelite kanë raportuar se pengjet në fjalë janë 2 izraelitë që kanë shtetësi ruse.
Sipas marrëveshjes së arritur mes palëve, “pauza humanitare” për konfliktin përfundoi mëngjesin e së enjtes në orën 06:00, por disa minuta para përfundimit të “pauzës humanitare” në Rripin e Gazës ushtria izraelite njoftoi përmes një deklarate zgjatjen e kësaj pauze.
Negociatat me ndërmjetësit vazhdojnë midis Hamasit dhe Izraelit për të zgjatur “pauzën humanitare” në konfliktin në Rripin e Gazës.
Burimi: AA