Ish-kryeministri, Sali Berisha deklaroi se ligji nuk e ndalon kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri të kryejë ceremoninë e betimit. Ky i fundit fitoi zgjedhjet e 14 majit, nën logon e koalicionit të Berishës me Metën.
Berisha e konsideron politik dhe jo juridik prangosjen e tij 48 orë para zgjedhjeve, ndërsa të njëjtën gjë pretendon edhe për mospranimin e kërkesës së vazhdueshme të Belerit për t’u betuar.
“Absolutisht vetëm Edi Rama, sepse ligjet e vendit nuk e ndalojnë kurrë Belerin për të bërë betimin.
Dhe betimet janë bërë në këtë vend, jo një por disa, pavarësisht se kanë qenë të burgosur.
Është Edi Rama që ka marrë pushtetin juridik dhe nuk lejon të betohet.
Betimi i Belerit nuk kërkon vendim gjykate, nuk kërkon vendim prokurorie, kërkon urdhër administrativ nga ministri i Drejtësisë që ta shoqërojnë në sallën e mbledhjeve të bashkisë së Himarës ku të bëjë betimin.
Është ministria e Drejtësisë, është drejtoria e Përgjithshme e burgjeve, është gjithçka ekzekutive”, tha ai.
Nga ana tjetër, Athina shprehet se do të bëjë gjithçka për të ndaluar anëtarësimin e Shqipërisë në BE, për aq kohë sa Beleri ndodhet në qeli.
