Prokurori i SPAK, Arben Kraja iu është përgjigjur akuzave se dosja e ish-kryeministrit Berisha është përdorur politikisht.
Duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit të PD-së, Enkelejd Alibeajt, nëse SPAK po vepron politikisht, Kraja garanton se në lidhje me çështjen në fjalë nuk ka patur dhe as nuk do të ketë asnjë veprim politik.
Ai shton se gjithnjë është sulmuar me akuza se ka punuar për llogari të krahut të kundërt.
Arben Kraja: Këtu nuk ka asnjë veprim politik dhe nuk do ketë asnjë deri në përfundim.
Duhet të dukemi që nuk jemi të njëanshëm. Ju e dini se ne kemi kompetencë për të hetuar funksionarët e lartë shtetëror, kështu që nuk mund të jemi në dukje të paanshëm.
Ne e kemi për detyrë që kur kemi një kallëzim për një deputet, ministër apo funksionarë, kemi për detyrë të nisim hetimin.
Unë kam qenë drejtues i këtij institucioni për tre vite dhe unë kam qenë në qendër të akuzave që po punoj në llogari të krahut tjetër.
Të jeni të bindur se këtu s’ka asgjë politike. Në jetën time s’jam marrë ndonjëherë me politikë dhe s’më shkon mendja të merrem me politikë.
