Një tjetër makinë përfundoi e djegur gjatë natës në qytetin e Vlorës. Këtë herë shënjestër ishte makina tip ”Benz”e punonjësit të policisë në Komisariatin e Policisë Vlorës, Zini Zenelaj. Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 03:10 në lagjen “Pavarësia” në qytetin bregdetar.
Ishin banorët e lagjes ata që lajmëruan policinë dhe zjarrfikësit, të cilët shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe bënë të mundur shuarjen e flakëve të zjarrit. Si pasojë e flakëve, mjeti është dëmtuar pjesërisht në pjesën e përparme.
Sipas policisë, dyshohet që zjarrëvënia të ketë qenë e qëllimshme, pasi në pjesën e përparme tek motori është konstatuar lëndë djegëse.
Policia ka sekuestruar kamerat e bizneseve te lagja “Pavarësia” për të identifikuar autorët.


