Skip to content

“Si mund të akuzohet një deputet apo lider se ka kryer korrupsion duke miratuar ligje?”– Avokati i Berishës: Rast i paprecedentë. Këmbanë alarmi për përfaqësuesit e zgjedhur nga populli

Në Kryesinë e Kuvendit po mbahet mbledhja nga Këshilli i Mandateve për heqjen e imunitetit të deputetit, Sali Berisha, pas kërkesës së SPAK.

Ish-kryeministri, ka zgjedhur të përfaqësohet nga dy avokatët e tij, Sokol Mëngjesi dhe Genc Gjokutaj.

Në fjalën e tij, avokati, Sokol Mëngjesi ndër të tjera tha se nuk mund të akuzohet një deputet apo një lider se ka kryer korrupsion duke miratuar ligje.

Ai ka shtuar se ky është një rast i paprecedentë dhe se është një këmbanë alarmi për  për përfaqësuesit e zgjedhur nga populli.

“Nga përshkrimi rezulton qartë se zoti Berisha ndiqet sot penalisht për aktivitetin e tij politik, në kohën që i referohet SPAK, kur ka qenë kryeministër i vendit, deri në ditët e sotme.

Rast i paprecedentë që minon çdo parim të një shoqërie demokratike, të akuzohet një deputetët dhe lider i opozitës se ka kryer korrupsion duke miratuar ligje, apo akte nënligjore në plotësim të funksionit të tij politik.

Kjo vërteton se kemi një proces penal në kuadër  të të cilit po i hiqet liria Berishës, kur ne thelb konsistojnë insinuata dhe qëndrime politike të karrierës së liderët të opozitës.

Sepse për ligjet që referohet Kuvendi, nuk ka asnjë iniciative ligjore as nga opozita e asaj kohe, as nga grupe të tjera që te jenë konstatuar këto ligje.

Kjo është një situatë e rrezikshme dhe këmbanë alarmi jo vetëm për Berishën sot por, për të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur nga populli shqiptar se nuk mund të ushtrojnë lirisht funksionet e tyre politike.

Në Kushtetutë përcaktohet qartë, deputeti nuk mban përgjegjësi për mendimet e shprehura në Kuvend dhe votat e tij të dhëna në ushtrim të funksionit. Sot Berisha mban përgjegjësi për votat që ka dhënë në Kuvend, sepse kështu e ngre akuzën SPAK” tha ndër të tjera Mëngjesi.

Në fund të fjalës së tij, avokati kërkoi rishikimin e vendimmarrjes deri në momentin kur të ketë një vendim nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Si rrjedhojë, ai kërkoi edhe mosdhënien e autorizimit të Kuvendit për heqjen e imunitetit të deputetit Berisha.

“Kërkojmë rishikimin edhe njëherë të vendimmarrjes tuaj mbi pezullimin e kësaj proceduare parlamentare deri në vendimmarrjen e Gjykatës duke patur tashmë në konsideratë edhe bazën ligjore dhe në alternativë të mospranimit të kësaj kërkese mosdhënien e autorizimit nga ana e Kuvendit për heqjen e lirisë të deputetit Sali Berisha”, tha Mëngjezi.

“”