VALENTINA MADANI/ Ish-ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj, vitin që po lëmë pas e percepton si një vit të dominuar nga zënkat dhe sherret primitive personale.
Por, sipas tij, e vetmja e re pozitive për t’u shënuar përgjatë vitit 2023 është qasja e vendosur e SPAK-ut për t’i kërkuar shkelësit e ligjit edhe në katet e epërme të politikës. Sandër Lleshaj thotë për gazeta “Panorama” se çështja më jetike nuk është dënimi i disa zyrtarëve të korruptuar dhe zëvendësimi i tyre me disa të tjerë, që janë njësoj si të parët.
Çështja sipas tij është se si të mbrohemi nga infiltrimi i të korruptuarve në sistem, ndaj ish-ministri i Brendshëm apelon se parandalimi i prurjeve korruptive është më i rëndësishëm se dënimi i tyre, pas dëmeve të shkaktuara. Z.Lleshaj shprehet se për këtë gjë, për fat të keq, SPAK-u nuk na ndihmon ndaj, ai u kujton krerëve të politikës se ndryshe nga vendet e tjera demokratike, këtu te ne partitë përkufizohen si grupime private interesi, në një kohë që ato janë institucione kushtetuese.
Për këtë arsye dhe si të tilla, sipas ishministrit socialist, ato duhet të rregullohen nga një legjislacion shumë i qartë, i cili duhet të garantojë që partitë të funksionojnë si struktura demokratike. Sandër Lleshaj përcjell mesazhin e qartë se, “e ne nuk mund të kemi një shtet demokratik që drejtohet nga parti jodemokratike”
Z.Lleshaj! Po mbaron një vit tjetër kalendarik, por edhe një vit tjetër politik. Çfarë e dominoi atë?
Për fat të keq, edhe ky vit politik po shkon si të tjerët, krejt pa famë, por me shumë potere. Një vit politik që u mbajt peng nga Berisha, i cili e përdori krejt për vete, nën konsensusin e heshtur të palës tjetër, të cilës duket se viti nuk i nevojitej dhe aq shumë. Politikisht, ky vit ishte po aq fatkeq sa shumë të tjerë që i kanë paraprirë. Edhe ky u dominua nga zënkat dhe sherret primitive personale, që këtu quhen paturpësisht politike.
Edhe gjatë këtij viti, diskutimi politik, publik dhe shoqëror për çështjet e mëdha mungoi. Pak dhe aspak ishte hapësira dhe vëmendja që morën temat e mëdha të shoqërisë sonë si ekonomia, mbrojtja e mjedisit, mbrojtja e pasurive natyrore, arsimimi, shëndetësia, siguria, varfëria etj.. Shumë domene të rëndësishme publike si shëndetësia, arsimi apo media mbetën nën ndikimin e fortë të bizneseve private. Skena politike dhe ajo publike u kontrolluan nga partitë politike, ndërkohë që aktorët e tjerë mbetën të papërfillshëm.
Nuk pamë asgjë pozitive përgjatë gjithë këtij viti që po lëmë pas?
E vetmja e re pozitive për t’u shënuar është qasja e vendosur e SPAK për t’i kërkuar shkelësit e ligjit edhe në katet e epërme të politikës.
Por sërish gjendemi në një rreth vicioz. Për cilat arsye?
Përgjigja më e shkurtër për këtë do të ishte: emancipimi i ulët shoqëror, por po thellohem pak këtu. I ashtuquajturi “revolucion demokratik” i 1990-ës, në të vërtetë, për popullin shqiptar ishte vetëm një iluzion demokratik, ndërkohë që për Partinë Komuniste, e cila kishte sunduar vendin që prej 45 vjetësh, ky ishte një operacion politik, që synonte vijimin e sundimit në kushte të reja.
Ishte kjo Parti Komuniste që manipuloi protestat qytetare, që krijoi nga radhët e veta “partitë e reja”, të cilat as nuk deshën dhe as nuk mundën kurrë të sillnin ndonjë qasje rrënjësisht të ndryshme në mënyrën e qeverisjes së vendit. Për arsye të gjenezës së përbashkët, partitë politike që qeverisën Shqipërinë gjatë këtyre dekadave, zbatuan praktika simetrike me njëra-tjetrën në qeverisjen e vendit. Thelbi i ndryshimit ishte se, në vend të një partie-shtet, vendi u bë me dy parti-shtet që alternohen në qeverisje, duke lënë pa përmendur këtu edhe një gjysmë partie tjetër.
…Dhe cili është problemi i partive tona politike?
Pluralizmi është një ndër parimet themelore të Kushtetutës sonë dhe partitë politike janë elementi kryesor kushtetues, që duhet të mundësojë pluralizmin. Një demokraci e bazuar mbi partitë politike mund të ekzistojë vetëm kur këto të fundit të jenë vërtet demokratike.
Por, a janë ato të tilla? Unë e kam të vështirë ta besoj këtë. Në sfondin epik të grindjeve dhe mosmarrëveshjeve konstante, duket si paradoksale, paqja e rrallë që ka mbizotëruar marrëdhëniet mes partive politike, kur bëhet fjalë për ligjin që rregullon funksionimin e tyre. Ligji për partitë politike në Shqipëri është i vitit 2000 dhe shumë pak ndryshime ka pësuar më vonë.
Në një vend ku partitë kacafyten përditë për ligjin zgjedhor, i cili ndryshon sa herë bëhen zgjedhje, duket si “idilike” paqja dhe konsensusi që mbulon ligjin për partitë politike. Këto parti nuk kanë harruar askënd dhe kanë futur në kornizat e ligjit shumëçka. Është interesante për shembull vëmendja që këto parti u kanë kushtuar madje edhe organizatave jofitimprurëse, kur kanë formuluar më shumë se 100 nene ligjore për të sanksionuar veprimtarinë e tyre, ndërkohë që janë kursyer shumë te ligji për partitë politike, i cili përmban vetëm 29 nene, që në thelb nuk thonë ndonjë gjë substanciale.
Çfarë rregullimi lipset në këtë rast…?
Problemi është i thjeshtë. Pa u rregulluar mirë elementi bazë i shtetit dhe i demokracisë sonë, që janë partitë, asgjë tjetër nuk mund të rregullohet. Ndryshe nga vendet e tjera demokratike, këtu te ne partitë përkufizohen si grupime private interesi, në një kohë që ato janë institucione kushtetuese. Për këtë arsye dhe si të tilla, ato duhet të rregullohen nga një legjislacion shumë i qartë, i cili duhet të garantojë që partitë të funksionojnë si struktura demokratike. Ne nuk mund të kemi një shtet demokratik që drejtohet nga parti jodemokratike.
Duhet vetëm pak përpjekje për të lexuar legjislacionin e vendeve të ndryshme europiane për partitë politike, për të kuptuar se normat themelore demokratike të tyre nuk rregullohen me statutet e brendshme, por me ligj! Është ligji që i detyron partitë të kenë zgjedhje të brendshme demokratike dhe të rregullta; është ligji që përcakton se si partitë përzgjedhin në mënyrë demokratike me votë drejtuesit, përfaqësuesit, kandidatët për parlamentet lokale dhe qendrore etj..
Tek ne, këto gjëra konsiderohen si çështje të brendshme të partive. Në të vërtetë, partitë nuk mund të jenë as grupime interesi, as organizata private, por institucione thelbësore kushtetuese. Nëse do të kishte një ligj të parë, që do të duhej të ndryshohej në Shqipëri, ai do të duhej të ishte ligji për partitë politike. Për shkak të interesit të lartë publik dhe të shmangies së konfliktit të interesit, e mira e vendit do të ishte që një ligj të tillë ta hartonin ekspertë të pavarur, mundësisht nga vende të BE-së, duke ndjekur kështu një praktikë të ngjashme me atë që u ndoq në rastin e reformës në drejtësi. Por në vend që të ndodhë kjo, tek ne ndryshohet çdo dy vjet ligji zgjedhor, ndërkohë që produkti i zgjedhjeve vijon të mbetet i njëjtë.
Përmendët më lart SPAK-un si një lajm të mirë për gjatë 2023-it, çfarë ndryshoi në hartën e punës së drejtësisë?
Po, SPAK-u dhe turizmi mendoj se janë lajmet kryesore pozitive të këtij viti. SPAK-u arriti të ndryshojë hartën e punës së drejtësisë në vendin tonë, e cila për shumë vite ka punuar me një hartë të reduktuar, të cilës i mungonin katet e epërme të politikës, të administratës, por edhe të vetë krimit. Në të njëjtën kohë, është me rëndësi që publiku dhe shoqëria të mos kufizohen në gjykimin e tyre lidhur me drejtësinë. SPAK-u ka nevojë të mbështetet dhe të inkurajohet në këtë fazë të rëndësishme të veprimtarisë. Por në të njeëtën kohë duhet të mos harrojmë kurrë se SPAK është përgjegjës për një segment të caktuar të drejtësisë penale.
Vetëm kaq. Ndërkohë që të gjitha aspektet e tjera të drejtësisë janë nën përgjegjësinë e strukturave të tjera. Ne kemi po aq nevojë për drejtësinë administrative, atë civile e shumë aspekte të tjera që ndikojnë fort në cilësinë e jetës sonë. Dhe mbi të gjitha, nuk duhet harruar e drejta politike (nuk po them drejtësia politike). Çështja më jetike nuk është dënimi i disa zyrtarëve të korruptuar dhe zëvendësimi i tyre më pas me disa të tjerë, që janë njësoj si të parët. Çështja është se si të mbrohemi nga infiltrimi i të korruptuarve në sistem. Parandalimi i prurjeve korruptive është më i rëndësishëm se dënimi i tyre, pas dëmeve të shkaktuara. Dhe për këtë gjë, për fat të keq SPAK-u nuk na ndihmon.
Cila është rëndësia që merr domosdoshmëria e një sistemi politik i drejtë?
Ajo që na duhet në mënyrë urgjente është një sistem politik i drejtë, ku sovran është populli dhe jo partitë. Kushtetuta jonë njeh popullin dhe jo partitë si sovran të vendit. Kemi nevojë për një sistem politik, i cili garanton që në këshilla dhe në Kuvend të shkojnë përfaqësues të popullit dhe jo përfaqësues të kryetarëve të partive. Për të garantuar këtë standard madhor kushtetues mendoj se:
Së pari, na duhen parti politike demokratike, politikisht dhe ligjërisht të përgjegjshme. Për këtë gjë u mundova të them diçka më parë kur fola për ligjin e partive politike.
Së dyti, na duhet një ligj zgjedhor që mundëson që populli jo vetëm të votojë për kandidatët, por pikësëpari t’i përcaktojë ata, drejtpërdrejt, ose përmes partive politike. Sistemi aktual i zgjedhjeve i vendos qytetarët përballë alternativës për të zgjedhur mes alternativave “keq” dhe “shumë keq”.
Rezultati i këtij sistemi është Kuvendi që kemi fatin e trishtë të shohim përditë, kacafytjet e të cilit do të bënin me turp edhe drejtorin e një burgu keqbërësish të zakonshëm. Personat e paguar për deputetë, që në vend të ligjeve, ose bëjnë dhunë dhe zhurmë, ose heshtin dhe struken ku të mundin, nuk janë alienë të ardhur nga ndonjë planet tjetër, por të zgjedhurit e preferuar të dy ose tre kryetarëve. Kështu nuk mund të vijohet më tej. Unë nuk besoj se me ligjin aktual të partive politike dhe me sistemin aktual zgjedhor ne do të mund të shpresojmë për ndonjë kuvend ndryshe nga ky që kemi apo pararendësit e tij.
Edhe samiti i fundit i BE-së kaloi si zakonisht pa ndonjë lajm domethënës për integrimin e vendit tonë. Edhe sa do të presim?
Pavarësisht se 33 vite më parë e nisëm me sloganin për Europën, pse kaq e vështirë që të bëhemi “europianë”? Me sa kujtohem, ju kam thënë juve në një intervistë të dikurshme se diskutimi për integrimin në BE ka filluar të më irritojë edhe mua, që e identifikoj veten si një europian të pashmangshëm.
Dhe kur kjo ndjenjë frustrimi ka prekur edhe ata që e duan me gjithë zemër integrimin e vendit, besoj se një ndjenjë triumfi pushton edhe ata që nuk e duan atë, nga të cilët vendi ynë ka shumë, edhe pse disi të padukshëm për vrojtuesit e përciptë. Pas 45 vitesh të ëndrrës komuniste, që si e tillë ishte plot me premtime dhe iluzione për liri, begati, paqe, barazi, etj., duket se 30 vjet pritjeje të ëndrrës europiane po e bëjnë atë që t’i ngjajë asaj të parës.
Duket se Europa, ndër ne, nisi si një slogan dhe mbeti i tillë: një retorikë e cektë për konsum publik. Ajo nuk arriti asnjëherë të shndërrohej në një projekt politik prioritar. Të gjitha fjalët janë thënë gjatë këtyre tri dekadave, e gjithë retorika është shpenzuar, janë krijuar, shkrirë dhe rikrijuar agjenci, drejtori, ministri e plot gjëra të tjera të pakuptimta. Por askush nuk ka denjuar të paraqesë një plan, ku pjesë e rëndësishme do të duhej të ishte edhe një datë. Një datë e anëtarësimit, me të cilën publiku do të mund të maste suksesin apo dështimin e përgjegjësve politikë. Një datë do të duhej të ishte argumenti kryesor si për diskutimin e brendshëm, ashtu dhe për matjen e performancës së kujtdo, por edhe për diskutimin me BE.
Një proces integrimi pa një datë anëtarësimi të mirëllogaritur është një proces pa objektiv, një thes pa fund. Shqiptarëve nuk u nevojitet një ëndërr e re, por një projekt i ri dhe projekt pa datë nuk ka. Ne e dimë për shembull se Mali i Zi ka përcaktuar një datë anëtarësimi si objektiv kombëtar, ndërkohë që tek ne kjo gjë konsiderohet e panevojshme. Për sa kohë që ne nuk do të kemi një objektiv të qartë, pra një datë, do të sillemi qark në vorbullën euforike të retorikës, që mua më kujton një anekdotë të kohës së diktaturës. Shkodranët thoshin asokohe se për 45 vjet kemi vetëm fitore, asnjë barazim, asnjë humbje, por prapë në fund të tabelës së klasifikimit jemi.
Si po mbyllet 2023-shi për rajonin tonë?
Konfliktet e përgjakshme në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme duket se inkurajuan jo pak zjarrvënësit e Ballkanit, të cilët po rreken të përfitojnë nga mjegulla dhe era e luftës. Unë mendoj se rajoni ynë është ende larg paqes dhe stabilitetit të synuar, për aq kohë sa zjarrvënësit e dikurshëm të tij jo vetëm që nuk kanë dhënë llogari për krimet e rënda, por vijojnë të mbajnë përgjegjësi të lartë qeverisëse në disa vende të rajonit, duke pasur kështu mundësi që të jenë pa të drejtë edhe pjesë e tryezave të rëndësishme rajonale dhe europiane. Duket si mister, apatia europiane përballë kursit konsekuent dhe ambicioz të Serbisë drejt një politike krejtësisht joeuropiane.
Nuk mund ta di se sa politikanë europianë apo shqiptarë i kanë lexuar dokumentet kryesore politike dhe strategjike të Serbisë, të miratuara në vitin 2021, përkatësisht Strategjinë e Sigurisë Kombëtare dhe Strategjinë e Mbrojtjes. Por kur shoh qëndrimet që mbahen ndaj Serbisë, besoj se pakkush i ka lexuar ato. Këto dy dokumente janë aq të qarta saqë i bëjnë të panevojshme shumë studime apo analiza strategjike, pasi vetë ligjvënësit serbë kanë sanksionuar hapur një politikë agresive pa kurrfarë ekuivokësh. Shprehje konkrete e kësaj politike kanë qenë mbështetja e hapur e agresionit rus në Ukrainë, përpjekjet për destabilizimin e Kosovës, Malit të Zi, etj.. Serbia e vitit 2021 angazhohet për “të mbrojtur ushtarakisht serbët kudo që janë”, për të ushtruar sovranitet në Kosovë, për të t’u përballur me “Shqipërinë e Madhe”, etj..
Për të garantuar politikat e shpallura botërisht, Serbia zhvillon një program të rrezikshëm armatimi, në kohë që si të vetmin rrezik zyrtar cilëson shqiptarët e Kosovës dhe ata të “Shqipërisë së Madhe”, të cilën vetë edhe e ka shpikur. Një pjesë të arsenalit dhe të kapaciteteve njerëzore, Serbia tentoi që t’i testojë më 24 shtator të këtij viti gjatë sulmit në Banjskë, të Kosovës. Një tablo të tillë do të duhet që Europa ta shohë dhe më tej të mbajë qëndrimet përkatëse. Por, më së pari, këtë tablo duhet ta shohë Shqipëria, e cila duhet që të rishikojë Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të miratuar që në vitin 2014, të ripoziconohet politikisht në përputhje me realitetet e reja të krijuara në rajon dhe të zhvillojë programe të besueshme të ndërtimit të kapaciteteve të nevojshme, përfshirë armatimin dhe shërbimin ushtarak, për t’u përballur eventualisht me kërcënimet dhe rreziqet rajonale, të cilat janë evidente.
Është e tepërt të them që Kosova do të duhet të ndërmarrë programe shumë herë më të gjera dhe më të thella, të cilat do të duhet të aftësojnë vendin për t’u përballur me sukses me sfidat, kërcënimet dhe rreziqet, që duket se nuk do t’i mungojnë në të ardhmen. Zhurma e luftës që bëhet tashmë në derë të Europës ka mbërritur edhe në veshët e atyre politikanëve europianë, që dikur bënin politikë partiake me parulla kundër NATO-s. Sot edhe ata po nxitojnë të kompensojnë kohën e humbur dhe mangësitë në orientim. Sot për mbrojtjen po flasin dhe po përgatiten edhe pacifistët e djeshëm. Duket se shprehja e vjetër latine “si vis pacem, para bellum” (nëse doni paqen, përgatituni për luftën) nuk vjetrohet kurrë.
