Anëtari i Këshillit Bashkiak Tiranë, Plarent Ndreca, do të marrë vendin e Arben Ahmetajt në Kuvendin e Shqipërisë, pasi drejtoresha e Kadastrës, Dallëndyshe Bici refuzoi mandatin.
Ndreca mësohet se ka pranuar mandatin e deputetit, pas shpalljes së vakancës nga ana e Kuvendit për shkak të përfundimit të mandatit të ish-zv.kryeministrit, Arben Ahmetaj para afatit kushtetues pasi ndodhet prej 6 muajsh në arrati.
Plarent Ndreca do të ulet në karrigen e deputetit nën siglën e PS-së në Kuvend, ndërkohë që do të duhet të respektohen dhe procedurat siç e përcakton ligji, deri në betimin e tij.
Ndërkohë Bici refuzoi mandatin duke mbajtur postin aktual të drejtoreshës së Kadastrës dhe njoftoi KQZ me anë të një shkrese ditën e sotme (11 Janar).
“Me shkresën nr. 43/1 prot., date 9.1.2024 me lëndë “Njoftim për dorëzim dokumentacioni”, për të cilën kam marrë dijeni në datë 10.1.2024, jam njoftuar për depozitimin e formularit të vetëdeklarimit pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Nga sa më sipër, ju bëj me dije se nuk do të vijoj procedurat ligjore përkatëse për marrjen e mandatit të deputetit në Kuvendin e Shqipërisë, për shkak të angazhimit tim në detyrën funksionale që ushtroj aktualisht në institucion qëndror”, shkuan ajo në shkresën depozituar KQZ.
