Komisioni Europian i është përgjigjur Athinës zyrtare në lidhje me çështjen e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i arrestuar për blerje votash vitin e kaluar.
Eurodeputetja greke Anna-Michel Asimakopoulou u kundërshtua ashpër nga zyrtari i Lartë i Komisionit Europian Thomas Hagleitner, kur tha se çështja ‘Beleri’ është një çështje europiane.
“Kjo çështje i takon drejtësisë, ne nuk komentojmë për çështje që janë në hetim! Ne vazhdojmë të mbështesim SPAK-un, strukturën kundër krimit të organizuar ”, tha Hagleitner, Shefi i Njësisë përgjegjëse për Politikat dhe Strategjinë Rajonale të Ballkanit Perëndimor, Fqinjësia dhe Negociatat e Zgjerimit në Komisionin Evropian.
Eurodeputetja dhe përfaqësuesja e shtypit e Eurogrupit të ND Anna Michel Asimakopoulou, e cilësoi rastin e kryebashkiakut të zgjedhur të Heimarrës, Fredi Beleri, si “evropian ”, gjatë debatit në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian për situatën politike në Shqipëri.
Asimakopoulou deklaroi se “të hënën është dhënë një shtyrje e dytë për çështjen e Fredit Beleri dhe shtyrja ka të bëjë me kërkesën e tij për të marrë leje për t’u betuar, siç kërkohet nga respektimi i prezumimit të pafajësisë”.
Asimakopoulou theksoi se “këtë e kërkoi edhe kryeministri Kyriakos Mitsotakis në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, jo sepse Fredi Beleri i përket pakicës etnike greke të Shqipërisë, por sepse është një rast evropian i respektimit të shtetit të së drejtës. në një vend kandidat për anëtarësim”.
