Ndërsa të hënën e 4 marsit pritet inaugurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka publikuar pamjet dhe shkruan se është një një hap i madh në fuqizimin e kapaciteteve tona ushtarake.
Peleshi shprehet gjithashtu se ky zhvillim forcon angazhimin tonë për paqe dhe siguri në rajon.
“Edhe #1Ditë nga inaugurimi i Bazës Ajrore Taktike të NATO-s në Kuçovë, një hap i madh në fuqizimin e kapaciteteve tona ushtarake.
Ky zhvillim i rëndësishëm jo vetëm që rrit profilin tonë në skenën ndërkombëtare, por gjithashtu forcon angazhimin tonë për paqe dhe siguri në rajon. 🇦🇱✈️ #WeAreNATO”, shkruan ministri.
Kujtojmë se punimet për rikonstruksionin e saj nisën në janar të vitit 2022. Prej asaj kohe është punuar për sistemin e rrethimit dhe të sigurisë e po ashtu të mbrojtjes në perimetrin ku shtrihet kjo bazë.
Nga NATO janë të investuara afërsisht 50 milionë euro dhe më shumë se 5 milionë euro janë investuar nga qeveria shqiptare. Autoritetet shqiptare kanë marrë përsipër ndërtimin e perimetrit të sigurisë dhe rrugëve lidhëse, ndriçimit, vendosjen e kamerave të sigurisë së bazës si dhe të sensorëve të zbulimit të ndërhyrjeve përgjatë rrethimit të bazës.
Në ceremoninë për përurimin e bazës ajrore do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të SHBA-së.
Baza ajrore e Kuçovës është ndërtuar në vitet 1950, por doli jashtë përdorimit në vitet ’90.