Shumica nga ne e dimë se Holanda është vendi i luleve. Me mijëra e mijëra hektarë toke janë të mbjella me të gjitha llojet e luleve. Tregtia me to, Holandës i sjell fitime të mëdha materiale. Holanda llogaritet superfuqi botërore në eksportimin e luleve, sidomos të tulipanëve, shkruan KosovaPost.
Qyteti Keukenhof i Holandës llogaritet si kopshti më i madh i tulipanit në botë, ndërsa këtë vit vizitorët priten me temë “Romancë në lule”.
Gjithsesi, në Holandë dje, me rastin e fillimit të stinës së tulipanëve u zhvillua “Dita Kombëtare e Tulipanëve”.
Në aktivitetin që zhvillohet tradicionalisht çdo vit në kryeqytetin Amsterdam, tema e këtij viti ishte “Fuqia e lules”.
Ndër 200 mijë tulipanë me ngjyra të ndryshme të ekspozuar nga prodhuesit në Sheshin Dam, mijëra njerëz hynë në radhë për të marrë lule falas. Vizitorët që mbushën çantat me lule shumëngjyrëshe dolën në fotografi mes tulipanëve që kishin mbushur sheshin.
Tulipani që është njësuar me Holandën, pavarësisht se atdheu i tyre është Turqia, përbën një rëndësi të madhe për ekonominë e vendit.
Prodhuesit holandezë mbjellin mbi 4 milionë qepë tulipani në vit dhe rreth gjysma e tyre eksportohet.
