Skip to content

Dje dhe sot, transformohet ambulanca në Lapardha, Berat

28 janar- Ambulanca Lapardha në Berat është transformuar tërësisht falë programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të mandatit.
Kjo ambulancë është një nga 80 qendrat shëndetësore të rindërtuara me themel gjatë fazës së parë të këtij programi.

Faza e dytë e këtij programi nis këtë vit me 100 qendra të tjera.

Kryeministri Edi Rama uroi sot mirëmëngjes me pamje nga transformimi i kësaj ambulance, si ishte dhe si është sot.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër nga 300 qendra shëndetësore, ku prej qysh se nuk mbahet mend përplaseshin pa asnjë lloj shansi për t’u ndjerë njerëz, qindra mijëra shqiptarë, si edhe me vetëdijen se as këto nuk mjaftojnë jo, ju uroj një javë të mbarë”, thekson Rama.

Një banore e Lapardhasë shprehet se “qendra shëndetësore me parë ka qenë shumë keq, më lagështi e me myk kurse tani është bërë shumë mirë, janë hequr mbeturinat e vjetra”.

Doktor Leonard Kumaraku thekson se “kushtet nuk ishin të favorshme”. “Ka qenë me lagështi, jo me këtë komoditet. Sot gjithçka është e bardhë si bluza dhe misioni që kemi ne për t’i shërbyer njerëzve”, tha ai.

Ndërsa Eva Shkëmbi, infermiere thotë se “kam goxha vite që punoj këtu po të bësh një krahasim është si nata me ditën, kushtet ishin skandaloze, me lagështi e myk”.

Qeveria shqiptare me anë të programit kombëtar për rindërtimin e 300 qendrave shëndetësore deri në fund të mandatit do t’i transformojë ato në qendra moderne mjekësore jo vetëm sa i takon infrastrukturës, por edhe pajisjeve mjekësore./k.s/j.p/