Presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, i ka bërë thirrje ushtrisë së vendit të tij të qëndrojë në “unitet dhe disiplinë kundër përpjekjes së grushtit imperialist”, transmeton KosovaPost.
“Forcat e sigurisë janë bërë gjithnjë e më besnike ndaj Venezuelës dhe kushtetutës së saj, pavarësisht disa përpjekjeve për të përçarë ushtrinë”, deklaroi Maduro para ushtarëve gjatë vizitës së tij në Brigadën e 41-të të Blinduar në shtetin Carabobo.
Maduro theksoi se Venezuela është duke u përgatitur për mobilizimin më të rëndësishëm në historinë e vendit. Ai shtoi se vendi i tij do të mbajë të gjitha sistemet e armëve, fuqinë ushtarake, aftësitë operacionale, forcën ushtarako-civile si dhe forcat e milicisë në mënyrë që “askusht të mos prekë qiellin tonë të shenjtë”.
Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari kur presidenti Maduro u betua për një mandat të dytë pas një bojkoti votash nga opozita.
Të mërkurën, Juan Guaido, udhëheqësi i Asamblesë Kombëtare dhe kreu i opozitës venezuelase, u vetëshpall president i vendit.
Argjentina, Kanadaja, Kili, Kolumbia, Kosta Rika, Ekuadori, Guatemala, Panamaja dhe Paraguai e kanë mbështetur kreun e opozitës ndërsa Bolivia dhe Meksika vazhdojnë të njohin Maduro-n.
Rusia dhe Kina e kundërshtuan thirrjen e SHBA-ve për të mbështetur Guaido-n dhe dënuan çdo ndërhyrje ndërkombëtare në çështjen e Venezuelës. Turqia dhe Irani po ashtu kanë mbështetur Maduro-n.
