Deputeti Bardh Spahia ka publikuar një video ku sipas tij, tregohen kushtet skandaloze të Urgjencës së Tiranës.
Në një postim në “Facebook”, Spahia ka treguar pamjet ku tregon se ambientet e Urgjencave janë me lagështi dhe të amortizuara.
Spahia ka denoncuar gjithashtu edhe gjendjen e ambulancave. Sipas pamjeve të postuara nga deputeti demokrat, ambulancat e Urgjencës janë pa oksigjen dhe pa maska të përshtatura për fëmijë ose të rritur.
Infermieri i urgjencës ka denoncuar gjithashtu faktin se në Spitalin Nënë Tereza përveç kushteve skandaloze në të cilat shteti nuk vë dorë, mungojnë dhe shumë ilaçe të urgjencës mes tyre edhe ilaçi primar kundër atakit në zemër, trinitrina.
“Në QSUT nuk ka ilaçe, mungojnë shumë prej tyre. Autoambulanca nuk funksionon. Mungon oksigjeni, ilaçet e ndihmës së parë “, tregon infermieri i turnit për deputetin demokrat.
Sipas deputetit demokrat, rrëfimi i infermierit është kurajoz pasi ka marrë dy kërcënime për largim nga puna.
“Për shkak të denoncimeve të mëparshme të kësaj situate skandaloze vazhdon të flasë me shpresën se diçka do të ndryshojë, se puna fisnike që ai e kolegët e tij bëjnë çdo ditë për të shpëtuar jetë, të mos jetë një mision mbijetese profesionalisht së pari për shkak të mungesave, që nga ilaçet bazike për ndërhyrjen e shpejtë”, shprehet Spahia.
