Ish-deputeti i PS-së, Arben Ndoka është shpallur në kërkim me urdhër të SPAK.
Arben Ndoka u shpall në kërkim në kuadër të megaoperacionit të mëngjesit të sotëm, ku u lëshua nga Prokuroria e Posaçme 50 urdhërarreste.
Në shtator të vitit 2015, Arben Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit, pasi u prek nga ligji i dekriminalizimit, sepse kishte një dënim në Itali.
Ish-deputeti socialist u arrestua në 21 tetor të vitit 2018 pasi emri i tij doli në përgjimet e një grupi kriminal.
Emri i Arben Ndokës në përgjimet e grupit kriminal
Arben Ndoka u vendos në përgjim duke zbuluar aferën që solli arrestimin e tij nga Policia pas urdhrit të Prokurorisë.
Ai u akuzua në atë kohë për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës”, në kuadër të një grupi kriminal, të përfshirë në tjetërsim tokash.
Ky grup kriminal dyshohet si i implikuar në abuzimet me troje shtetërore në zonën e Lezhës dhe Kurbinit, përmes falsifikimit të dokumenteve e vulave etj..
Në mars të vitit 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup kriminal që dyshohej se ishte lidhur me abuzimet toka e troje në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, ndërsa 11 u shpallën në kërkim.
Ata, në bashkëpunim me njëri-tjetrin akuzohen se kanë falsifikuar, tjetërsuar dhe përvetësuar 234,548 m2 tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Shëngjin, Lezhë.
“Me gjithë provat e forta të paraqitura nga Policia dhe Prokuroria, Gjykata e Shkallës së Parë Lezhë dhe Gjykata e Apelit Shkodër ndryshuan masat për një numër të konsiderueshëm shtetasish, mes tyre edhe kryetari i Bashkisë Lezhë, si dhe 2 shtetas të rishpallur në kërkim. Gjithashtu, disa ditë më parë Policia e Lezhës goditi një tjetër grup prej 11 ish-zyrtarësh të Hipotekës, aktiviteti i të cilit dyshohet se lidhet me tjetërsimin e tokave në këtë qark”, tha Policia.
Por nëntor të vitit 2018, Gjykata e Apelit e liroi nga qelia dhe e vendosi nën masën e sigurisë arres shtëpie.
Konfiskimi i pasurisë
Gjykata Apelit të Posaçëm vendosi në 15 nëntor 2022 që të konfiskohej pasuria e familjarëve të ish-deputetit të Partisë Socialiste Arben Ndoka.
Konkretisht, sipas vendimit të gjykatës parashikohet konfiskimi i pasurisë ndaj Xhevi Ndokës dhe Mimoza Ndokës, vëllait e motrës së ish-deputetit socialist Arben Ndoka, transmeton News 24.
Ndërkaq, një vit më parë, shkalla e parë e Gjykatës së Krimit kundër Krimit dhe Korrupsionit konfiskoi një pasuri prej 55 milionë eurosh të një grupi që akuzohen për shpronësimin e pronave në bregdetin e Shëngjinit.
Në këtë mënyrë, Gjykata e Apelit të Posaçëm ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë, duke vendosur përfundimisht konfiskimin e këtyre pronave.
