Kryeministri Edi Rama ka dhënë lajmin se në muajin qershor hyn në fuqi rritja e pagave për punonjësit e administratës. Në fjalën e tij, ku kreu i qeverisë foli për modernizimin e administratës, deklaroi se me këtë rritje arrihet objektivi 900 euro paga mesatare.
Kryeministri tha se kjo nuk do të jetë fundi i rritjes së pagave, por është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe.
Pjesa më sfiduese tha kryeministri është edhe rritje e pensioneve, për të cilat tha se do të nisin rritjen e pensioneve më të ulëta, pasi siç u shpreh ai ka një numër pensionistësh që marrin më pak se 150 euro në muaj.
“Në qershor hyn në fuqi rritja e re e pagave dhe kështu të gjithë do të kenë një rritje në pagën e tyre dhe do ta arrijmë objektivin që kemi shpallur që paga mesatare në sektorin publik shqiptar të jetë 900 euro dhe patjetër që paga mesatare në sektorin publik shqiptar do të jetë 900 euro, nuk diskutohet!
Qershori është muaji i fundit me këtë pagë që keni dhe me kryerjen e të gjitha procedurave me departamentin, paga e radhës do jetë paga e rritur dhe është në fakt një rritje shumë e konsiderueshme po të marrim parasysh totalin, domethënë, nga vjet në sivjet janë rreth 400 milion në total që janë vendosur për burimet njerëzore, për kapitalin njerëzor.
Patjetër që duhet më shumë, as nuk diskutohet, por edhe më shumë do të jenë sepse nuk është një rritje që ne shikojmë si fundin e procesit dhe pastaj shihemi 10 vjeçarin tjetër, po është një rritje domethënëse për një periudhë të caktuar kohe, ndërkohë që na duhet dhe besoj se këtu jeni dakord që të shikojmë pak më shumë se si të bëjmë edhe pjesën më të vështirë, më sfiduese që është duke filluar nga pensionet më të ulëta, të rrisim mbështetjen për pensionistët sepse kemi një numër të konsiderueshëm pensionistësh që marrin një pension nën 150 euro.
E kam thënë gjithmonë edhe të gjithë na e thonë, edhe të gjithë ekspertët ndërkombëtarë, edhe FMN-ja, edhe BB-ja, edhe ÇC-ja, të gjithë na e thonë te pensionet bëni kujdes sepse është realisht një peshë shumë e rëndë dhe zonja që mori vlerësimin si kampione në ministrinë e Financave e di shumë mirë se për çfarë po flas. Ashtu sikundër ajo zonja tjetër me të cilën zonja është e pandarë prej 30 e kusur vitesh, ajo e di, edhe më mirë, – se mirë e dinë të dyja, – po ajo nuk të lë të harrosh as për një moment, qoftë edhe për kënaqësi, të thuash ta mendojmë njëherë, jo, jo. Megjithatë ne jemi duke menduar shumë seriozisht dhe besoj që do të hedhim një hap edhe në atë drejtim”, tha Rama.
