Skip to content

“Fleksibiliteti në orarin e punës, i nevojshëm”- Rama: Administrata Publike nuk është çerdhja e të këqijave

Kryeministri Edi Rama teksa ka folur për modernizimin e administratës publike thotë se fleksibiliteti në punë është tepër i nevojshëm dhe duhet të konsiderohet normal.

Kryeministri tha se administrata publike nuk është një çerdhe ku njerëzit punojnë për të vjedhur, ashtu sic konsiderohet nga disa.

“Sipas meje ishte gjithmonë të ndjerit e punonjësve, të ndjerit e stafit të ministrisë dhe pastaj të bashkisë si pjesë e një pune të përbashkët, si pjesë e një misioni të përbashkët, si pjesë e një arsye të përbashkët pse të gjithë kalojmë çdo ditë në të njëjtën çati dhe jo si pjesë e një rutine me një disiplinë formale që ta heq qejfin e ditës së punës që në momentin kur të numërojnë tek dera dhe të tregojnë orën a thua se në 8 e 1 minutë do nisej apo do niset raketa për në hënë dhe nëse nuk niset në 8 e 1 minutë misioni konsiderohet i dështuar“, tha Rama.

Rama: Në dukje janë gjëra të vogla, janë gjëra që normalisht njeriu thotë, po pse nuk janë bërë përpara, por ja që jo vetëm ka gjithmonë vend dhe arsye për t’u përmirësuar, por nga ana tjetër pikërisht sepse nuk është ndjekur më parë një praktikë e tillë, atëherë shefave që marrin vendimin iu duken të vogla se shefat nuk i numëron njeri tek dera në orën 8, e kanë të vështirë ta kuptojnë sesa e rëndësishme është që ai numërimi i orës 8 të mos kthehet siç është kthyer për fat të keq shumë vite, shumë shpesh në një akt formal të gjoja disiplinës.

Dikur kam bërë debat me një koleg, – unë isha ministër, – që e kishte fiksim që t’i kapte punonjësit tek dera në orën 8 e 1 minutë sepse eksperienca ime ishte ndryshe dhe sepse, jo vetëm në ministri, por edhe më pas në Bashkinë e Tiranës gjëja kryesore sipas meje ishte gjithmonë të ndjerit e punonjësve, të ndjerit e stafit të ministrisë dhe pastaj të bashkisë si pjesë e një pune të përbashkët, si pjesë e një misioni të përbashkët, si pjesë e një arsye të përbashkët pse të gjithë kalojmë çdo ditë në të njëjtën çati dhe jo si pjesë e një rutine me një disiplinë formale që ta heq qejfin e ditës së punës që në momentin kur të numërojnë tek dera dhe të tregojnë orën a thua se në 8 e 1 minutë do nisej apo do niset raketa për në hënë dhe nëse nuk niset në 8 e 1 minutë misioni konsiderohet i dështuar.

Pra fleksibiliteti në orarin e punës është jo vetëm normal fare të konsiderohet, por sot është i mundur dhe për një arsye tjetër se për hir të së vërtetës pavarësisht asaj që thashë, fiksimi te ora 8:00, po ka qenë edhe e pamundur ta mendoje fleksibilitetin në punë për shkak të një numri të madh punonjësish të angazhuar në shërbime të drejtpërdrejta për qytetarët. Sot ne nuk e kemi më këtë problem sepse masivisht shërbimet jepen online. Ne nuk kemi më sportele përveç atyre pak sporteleve që janë të pamundura të mbyllen sepse kur do marrësh pasaportën dhe duhet të vësh shenjat e gishtërinjve apo kur do martohesh nuk është realizuar akoma një skemë martese online. Do vijë me siguri, do vijë dhe disa pak procese të tjera, por janë 95% e proceseve që sot janë online.

Faktikisht sot nuk ka më adresa fizike që të shkosh të rrish në radhë, të presësh, të vish prapë dhe kjo bën që përmbajtja e punës mbas dyerve të mbyllura tanimë të sporteleve të jetë një përmbajtje që mund të administrohet me fleksibilitet. Dhe duke menduar nënat e reja që kanë fëmijë të vegjël, që duhet t’i shoqërojnë apo që duhet t’i çojnë në shkollë edhe situata të tjera është e pa nevojshme që të jetë kjo ngarkesë ose që kanë nevojë të shkëputen në një moment të caktuar për të shkuar në shtëpi, për tu kujdesur për fëmijën, për tu kujdesur për prindërit, për tu kujdesur për vjehrrat kuptohet, nuk diskutohet.

Nga ana tjetër, kuptohet që kjo do kërkojë një fazë kolaudimi të mënyrës sesi do të programohet sepse gjithsesi ka kohë, fasha të caktuara kur duhen bërë takime të përbashkëta apo kur duhet të ketë një ndërveprim të brendshme, por këto janë gjëra që ne nuk kemi pse i shpikim, nuk është një gjë që po e bëjmë ne të parët, por është diçka që siç tha dhe Adea aplikohet gjithmonë e më shumë në vende të BE sepse mirëqenia shpirtërore, mirëqenia psikologjike e punonjësve sidomos në administratën publike është e dorës së parë.

Tani duke folur këto, unë e kam shumë mirë parasysh sesi shumëkush që dëgjon mendon që unë po flas për seksin e engjëjve dhe me siguri po të ishte këtu do thoshte: ore ju s’jeni në vete, për çfarë flisni sepse shumëkush për fat të keq jeton me idenë e krijuar të një administrate që është një çerdhe njerëzish që gjithë ditën lëvizin lekë nga një xhep tek tjetri, që gjithë ditën punojnë sesi të vjedhin gjithë ditën me poshtërsi, që është një perceptim i ngritur në mënyrë sistematike, vit pas viti, muaj pas muaji, ditë pas dite dhe natyrisht që pastaj ilustrohet me shembuj të caktuar keqbërësish në administratë të cilët kur ekspozohen për shkak të drejtësisë përdoren për të thënë që këtu janë të gjithë njësoj.

Në fakt unë nuk do të guxoja kurrë ta bëjë këtë fjalim me thënë të drejtën, pavarësisht kurajës që nuk më mungon, nëse unë vetë nuk do isha i penguar psikologjikisht që ta vlerësoja administratën tonë publikisht, megjithëse e dija pa diskutim siç e dinë të gjithë që administrata jonë mund të ketë dhe ka me siguri plot të meta dhe plot boshllëqe për të mbushur, por nuk është absolutisht çerdhja ku “janë mbledhur të gjithë djajtë dhe ku ndodhin vetëm gjërat të këqija”, por qysh nga momenti kur unë kam parë dhe kam  përjetuar me një krenari të jashtëzakonshme me thënë të drejtën se si një përfaqësi e kësaj administrate – dhe nuk flasim për tre veta, as për 5, as 10, as për 15, as për 20, as për 30, po flasim për qindra – e ka përfaqësuar Shqipërinë në tryezën e diskutimeve dhe përgatitjeve për negociatat në procesin “Screening”, atëherë përfundimisht nuk e kam fare problem, që çfarëdo të thotë kush nuk e njeh administratën nga brenda ose kush e mendon administratën si “çerdhen e të gjitha të këqijave” për shkak të perceptimit, sepse e vërteta është që ne kemi në administratën tonë një aset të jashtëzakonshëm kombëtar dhe ky  aset i jashtëzakonshëm kombëtar është faktikisht shumatroja juaj dhe e shumë të tjerëve, shumë të tjerëve si ju.

“”