Skip to content

Sulmonin drejtuesit e Policisë me shkrime denigruese/ Zbulohet si funksiononte portali i ‘gjobave’ i financuar nga shefi i AMP! Roli i gazetarit dhe efektives

Shefi i Sektorit në Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore MP, Kushtrim Selimi përmes një portali publikonte shkrime denigruese ndaj drejtuesve të Policisë.

Kushtrim Selimi

Kushtrim Selimi mësohet se financonte portalin shqipnews.info, që e kishte hapur së bashku me zyrtaren tjetër të AMP, Rexhina Omeri dhe gazetarin Ervis Hasanaga.

Ata publikuan shkrime të rreme për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullakun, drejtorin e Policisë Kriminale, Neritan Nallbati, Drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike, Rebani Jaupin, dhe kreun e AMP-së, Florjan Sulejmani me qëllim denigrimin e tyre në publik përmes lajmeve të rremë, raporton gazetari Ilgi Çelmeta.

Qëllimi i Selimit ishte që përmes këtyre shkrimeve synonte që përmes presionit të emërohej drejtor.

Në celularët e të arrestuarve janë gjetur dhe mesazhe komunikimi me persona të tjerë me qëllim për t’i vendosur gjoba.

Denoncimi është bërë nga disa persona dhe drejtues policie të prekur nga këto shkrime.

“Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti”, njoftoi policia.

Regina Omeri

 

Njoftimi i policisë: 

DVP Tiranë

Sektori për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e krimeve kibernetike dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Antonimet”.

Në kuadër të këtij operacioni u arrestuan shtetasit:

R. O., 34 vjeçe, punonjëse në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore në Drejtorinë Rajonale Durrës;

E. H., 35 vjeç, me profesion gazetar.

Gjithashtu, u shpall në kërkim shtetasi K. S., 39 vjeç, me detyrë shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.

Gjatë hetimeve të kryera ka rezultuar se këta tre shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ndryshonin dhe fshinin të dhëna kompjuterike në formate teksti, pa të drejtë, për krijimin e të dhënave të rreme ndaj disa titullarëve të institucioneve të ndryshme, duke denigruar figurën e tyre, me qëllim paraqitjen dhe përdorimin e tyre si autentike, në një faqe interneti.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 celularë.

Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“”