Skip to content

U vra në hotelin ku punonte nga pronari, policia: Trupi i Eraldo Nevruzit u gjet në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”! Detajet

Policia ka dhënë detaje nga gjetja e trupit të pajetë të 31-vjeçarit Eraldo Nevruzi, i cili u ekzekutua nga bashkëpronari i hotelit “Greccia” në Dhërmi pak pas mesnatës së të mërkurës (6 Qershor).

Trupi i viktimës raportohet se është gjetur paraditen e sotme (7 Qershor) në një gurore në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.

“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetasit  E. N., në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno”, raportuan uniformat blu.

Ndërkohë autori i dyshuar i krimit të rëndë, Gerald Shehu, njëkohësisht dhëndri i pronares së hotelit, u ndalua ditën e krimit në aeroportin e Korfuzit në tentativë për t’u arratisur nga vendi.

Ndërsa janë vendosur në pranga edhe dy kolegë të recepsionistit, Daniel Qose dhe 30-vjeçari David Larti, të cilët akuzohet se ndihmuan autorin për të fshehur kufomën.

LEXONI EDHE: “Morëm trupin nga dhoma, e futëm në bagazh”- Vrasja e recepsionistit, zbardhet dëshmia e dy kolegëve të arrestuar: Gerald Shehu na tha ‘do ju vras’

 

Njoftimi i policisë:

Himarë/Informacion shtesë

Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes kriminale të ndodhur në Dhërmi, pas zbardhjes së rrethanave, ndalimit në Greqi të autorit të dyshuar dhe arrestimit të 2 shtetasve që ndihmuan autorin për të fshehur kufomën, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet për gjetjen e trupit të shtetasit E. N.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të Komisariat të Policisë Himarë dhe disa grupe të Delta Forcë, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë vijuar kërkimet në një perimetër të gjerë.

Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetasit  E. N., në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.

Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.

“”