Janë publikuar pamjet ku nga vendi ku u gjet i vrarë Erald Nevruzi, i cili u vra nga Gerald Shehu dy ditë më parë, pak pas mesnatës së të mërkurës, (00:30 të 6 qershorit 2024).
Trupi i 31-vjeçarit raportohet se është gjetur paraditen e sotme (7 Qershor) në një gurore në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.
“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetasit E. N., në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno”, informoi policia.
Ndërkohë autori i dyshuar i krimit të rëndë, Gerald Shehu, njëkohësisht dhëndri i pronares së hotelit, u arrestua ditën e krimit në aeroportin e Korfuzit në tentativë për t’u arratisur nga vendi.
Ndërsa janë vendosur në pranga edhe dy kolegë të recepsionistit, Daniel Qose dhe 30-vjeçari David Larti, të cilët akuzohet se ndihmuan autorin për të fshehur kufomën.
Njoftimi i policisë:
Himarë/Informacion shtesë
Në vijim të punës hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes kriminale të ndodhur në Dhërmi, pas zbardhjes së rrethanave, ndalimit në Greqi të autorit të dyshuar dhe arrestimit të 2 shtetasve që ndihmuan autorin për të fshehur kufomën, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar veprimet për gjetjen e trupit të shtetasit E. N.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, të Komisariat të Policisë Himarë dhe disa grupe të Delta Forcë, në drejtimin e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë vijuar kërkimet në një perimetër të gjerë.
Si rezultat i informacioneve të siguruara nga hetimi dhe i kërkimeve, shërbimet e Policisë kanë gjetur trupin e pajetë të shtetasit E. N., në vendin e quajtur “Përroi i Gjipesë”, në zonën midis fshatrave Dhërmi dhe Vuno.
Grupi hetimor vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje kriminale.