Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, në një prononcim për mediat pas mbledhjes së grupit është shprehur se çështja kryesore që kanë diskutuar ka qenë ajo e skandalin në Spitalin Onkologjik, në QSUT.
Bardhi tha se i kanë dorëzuar një shkresë kryetares së Parlamentit Lindita Nikolla, që në seancën e ardhshme të zhvillohet një interpelancë me ministren e Shëndetësisë Albana Koçiu.
Ndër të tjera ai tha se opozita dhe gazetarët e kanë denoncuar prej kohësh problematikën në këtë spital, por nuk ka patur asnjë reagim nga ministria e shëndetësisë, ndërsa shtoi se ministrja Ko#iu në interpelancë duhet t’i ‘përgjigjet papërgjegjshmërisë’.
“Në qendër të diskutimeve ishte skandali në spitalin onkologjik. Grupi ka miratuar kërkesën e anëtarëve tanë për të patur një interpelancë urgjente me ministren Koçiu, në seancën e ardhshme penale, për t’i u përgjigjur papërgjegjshmërisë që ka udhëhequr ministria e shëndetësisë në trajtimin e këtej problemi.
Ndoqëm qëndrimin e ministrisë së Shëndetësisë, u distancua nga akti dhe shprehu neveri, por fakti është se qoftë ministria e Shëndetësisë qoftë institucionet përgjegjëse kanë qenë të infirmuar në kohë për atë që po ndodhte në spitalin Onkologjik.
Rasti i Prokurorisë nuk është i veçuar, por një skemë e plotë e frymëzuar nga drejtuesit politike të shëndetësisë. Ka patur raporte të KLSH-së dhe mbi ato raporte, ministria e Shëndetësisë nuk ka marrë asnjë masë.
Ka patur denoncime nga deputetë e opozitës dhe nga gazetarët që ajo problematikë është e shtrirë në kohë dhe ka patur zero veprime nga ministria e Shëndetësisë.
Qytetarët atje dhe për shkak të nevojës, kanë ulëritur më fortë se kushdo tjetër për korrupsionin, por ka rënë në vesh të shurdhër pasi korrupsioni buron nga koka”, tha Bardhi.
