Skip to content

Arratiset një nga të dënuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviçit

Marko Roshiç, njëri nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb Oliver Ivanoviç në Kosovë, është arratisur.

Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për Rajonin Verior, Veton Elshani.

Elshani ka thënë se më 28 qershor Policia ka pranuar vendimin për ndalimin e Roshiçit dhe që atëherë është në kërkim të tij.

Të njëjtën ditë Gjykata Themelore në Prishtinë shpalli aktgjykimin për rastin e vrasjes së Ivanoviçit.

Roshiç, Nedeljko Spasojeviç, Dragisha Markoviç dhe Zharko Jovanoviç u dënuan me gjithsej 22 vjet e gjashtë muaj burg, ndërsa Silvana Arsoviç u shpall e pafajshme.

Asnjë nga të akuzuarit nuk ishte në gjykatë kur u shpall aktgjykimi.

Roshiç, shtetas i Mitrovicës së Veriut, është dënuar me dhjetë vjet burgim për veprën penale pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal që ka organizuar një vrasje.

Oliver Ivanoviç u vra më 16 janar 2018, me gjashtë të shtëna në shpinë, para objekteve të partisë së tij në Mitrovicën e Veriut, në veri të Kosovës.