Skip to content

“Pas mesnate nuk ka më muzikë!”- Inspektim në Dhërmi, Balla: Policia të garantojë respektim të normave të zhurmës në plazhe

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, është ndalur sot në zonën e Dhërmiut, në kuadër të inspektimit të masave të sigurisë në jug të vendit.

Ai u informua nga strukturat vendore të Policisë, mbi masat në tërësi, ku veç sigurisë së turistëve, vëmendje i kushtohet qetësisë dhe parandalimit të ndotjes akustike.

Për këtë, përdoren pajisje teknologjike për të matur në distancë nivelin e zhurmave, ose kur banorët kanë ankesa Policia shkon me pëlqimin e tyre në banesë dhe mat nivelin e muzikës, apo zhurmave, shpjegoi një zyrtar lokal.

Balla bëri me dije se do të kemi pajisjet për të gjitha qytetet e plazhet dhe se pas orës 24:00 nuk do të ketë më muzikë.

“Shumë shpejt do të kemi pajisjet për të gjitha qytetet e plazhet. Kontrollet duhen bërë më shpesh dhe pastaj ora 24:00 duhet të jetë e qartë për të gjithë, nuk ka më muzikë. Edhe disa aktivite të planifikuara, si festivale u anuluan për të garantuar barazi mes operatorëve turistikë”, deklaroi ministri Balla.

Subjektet e konstatuara me shkelje do të paralajmërohen e në rast përsëritje do të kalohet tek masa ndëshkimore.

Sektori i Krimit Ekonomik në Polici do të ketë prezencë të shtuar dhe fokus ndaj subjekteve që tentojnë të abuzojnë me pushuesit apo të shmangim detyrimet financiare shtetërore.

“”