Opinionisti Fatos Lubonja i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24, ka komentuar Kongresin e PS, ndryshimet në qeveri dhe emërimin e Elisa Spiropalit në krye të Parlamentit pas dorëheqjes së Lindita Nikollës.
Lubonja shprehet se dy janë pamjet e Kongresit: Skena dhe prapaskena.
Ai shtoi se lajmi i vetëm pas gjithë asaj që ai cilësoi si fasadë, ishte largimi i Taulant Ballës.
“Aparenca dihet, ne jemi më të mirët, një unitet rreth liderit të partisë, lideri që flet me një lloj fjalimi programatik, duke bërë programin deri në 2030, ndërsa prapaskena është ajo që ne tentojmë të kuptojmë, por që nuk arrijmë se është e mbuluar.
Nëse kishte lajm mbrapa kësaj fasade ishte largimi i Taulant Ballës, por ne nuk e dimë pse e hoqi Rama si ministër i Brendshëm.
Kjo është një çështje me interes publik. Një nga teoritë që thuhet është se i ka dalë emri i metamorfoza. Një tjetër teori është që ai ka folur te amerikanët. Ca të tjerë e lidhin me Erion Veliajn dhe të tjerë e lidhin me Toyota Yaris.
Të gjitha këto janë hipoteza, që ne nuk e dimë se sa të vërteta janë, por janë shqetësuese.
Tani pyetja që lind është: çfarë partie është kjo? Si nuk flet askush, si nuk del askush të thotë hallet, as të kërkohet llogari pse u hoqën këta ministrat.
Sot pashë ata banorët e Thumanës, që trajtohen si miza, i kanë mbyllur rrugën, që të marrë paratë ai që ka vënë traun. Dëgjuat gjë për këto problemet, asgjë.
Tani këta ministrat që hiqen dhe nuk dinë, si ka mundësi, ka humbur njerzillëku. Këta sikur janë makina robot që i komandon ky”, tha Lubonja.
