Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka reaguar pasi kandidati socialist Vangjel Tavo, fitoi zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë e Himarës.
Spiropali shkruan se procesi ishte me standardet e një shoqërie demokratike të një vendi anëtar të NATO-s, ndërsa shtoi se populli i Himarës “foli, zgjodhi, dëshmoi atë që dihej dhe pritej: një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike”.
Ndër të tjera ajo uroi Tavon për fitoren, teksa shpreh se e pret një punë e madhe për progresin dhe mirëqenien e njësive administrative Himarë, Lukovë dhe Horë-Vranisht.
Postimi i Spiropalit:
Zgjedhjet në Himarë përfunduan. Populli i Himarës foli, zgjodhi, dëshmoi atë që dihej dhe pritej: një kulturë të lartë politike, qytetare e demokratike.
E rëndësishme është që fushata dhe procesi ishin të qetë, të rregullt, me standardet e një shoqërie demokratike të një vendi anëtar të NATO-s, që përparon me shpejtësi drejt BE-së, të një vendi lider në rajon, që konsolidon pareshtur vlerat dhe institucionet e demokracisë liberale.🇦🇱
Urime të përzemërta Kryetarit të ri të Bashkisë, kolegut dhe mikut Vangjel Tavo, për fitoren. Punë të mëdha të presin, i merituar Kryetar, për progresin dhe mirëqenien e njësive administrative Himarë, Lukovë dhe Horë-Vranisht, të të gjithë himarjotëve, pa dallim.
Përgëzime qytetarëve të Bashkisë Himarë për kulturën e lartë qytetare, tolerante, patriotike dhe demokratike.
