Sherr jashtë ambienteve të një club-i në Vlorë, 19-vjeçari nxjerr thikën dhe plagos dy persona

Policia e Vlorës ka vënë në pranga një 19-vjeçar, i cili në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme (11 gusht) jashtë ambienteve të një club-i nate është konfliktuar me dy persona për motive të dobëta dhe gjatë përleshjes ka nxjerrë thikën dhe i ka goditur.

Gjithashtu ka nisur hetimi për një 17-vjeçar, i cili ka goditur me grushte kushëririn e dy personave që u plagosën me thikë nga 19-vjeçari.

Mësohet se dy të dëmtuarit me thikë ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën.

Në cilësinë e provës materiale, Policia gjeti dhe sekuestroi mjetin prerës (thikë) të përdorur nga autori i dyshuar dhe një automjet tip “Benz” në pronësi të tij.

Kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

 

Njoftimi i policisë:

Plagosi me mjet prerës (thikë) një 39-vjeçar dhe një 23-vjeçar gjatë një konflikti për motive të dobëta, Policia vë në pranga autorin e dyshuar të plagosjes.

Procedohet penalisht dhe një 17-vjeçar, i cili, në bashkëpunim me autorin e plagosjes, u konfliktua fizikisht me një shtetas tjerër, që ishte së bashku me të dëmtuarit.

Sekuestrohet mjeti prerës (thikë) i përdorur nga autori i plagosjes.

Sot, rreth orës 04:00, në lagjen “1 Maji”, dyshohet se pas një konflikti për motive të dobëta, jashtë ambienteve të një club-i, shtetasi S. C., 19 vjeç, ka plagosur me mjet prerës (thikë) shtetasit L. T., 39 vjeç, dhe D. T., 23 vjeç. Të dy këta shtetas ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe, falë veprimeve të shpejta, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar, shtetasin S. C., për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Gjithashtu, në vijim të veprimeve hetimore, u procedua penalisht një 17-vjeçar, i cili dyshohet se, në bashkëpunim me shtetasin S. C., kanë goditur me grushte, duke i shkaktuar dëmtime shtetasin A. T., 24 vjeç, i cili ndodhej së bashku me shtetasit L. T dhe D. T ( të tre kushurinj me njëri-tjetrin).

Në cilësinë e provës materiale, Policia gjeti dhe sekuestroi mjetin prerës (thikë) të përdorur nga autori i dyshuar dhe një automjet tip “Benz” në pronësi të tij.

Materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

“”