Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se pret që përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, “të mbajnë fjalën” se pa marrëveshje dhe “vullnet të përbashkët” nuk do të ketë hapje të urës mbi lumin Ibër,

“Jemi në kontakt të përditshëm me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare dhe KFOR-it, me të cilët kemi bashkëpunim të drejtë.

Presim që ta mbajnë fjalën, se pa marrëveshje dhe vullnet të përbashkët nuk do të ketë hapje të urës”, ka thënë Vuçiç në një prononcim për gazetarët, transmetojnë mediat serbe.

Kreu i Serbisë ka pretenduar se në Kosovë, tanimë që është caktuar data e zgjedhjeve – 9 shkurt 2025 – “gjithçka do të jetë fushatë për ta”.

“Pres provokime dhe probleme shtesë”, tha ai.

Ai shtoi se beson dhe shpreson që “KFOR-i do ta përmbushë premtimin e tij, si dhe detyrën e tij parësore në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”.

Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, është duke insistuar në hapjen e plotë të urës që lidh Mitrovicën e Veriut me atë të Jugut, pasi që aktualisht shfrytëzohet vetëm për këmbësorë.

Nga ana tjetër, vendet perëndimore, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Bashkimin Evropian (BE), kanë kundërshtuar hapjen e urës në këto momente, derisa kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko