Edhe pse për shumë muaj me radhë Damian Gjiknuri ka qenë ndër emrat më të sulmuar nga opozita, disa miq i ka.
Ish-ministri prej kohësh është atakuar nga kolegët e opozitës, duke e shndërruar në një nga emrat më të lakuar në foltoren e Parlamentit. Megjithatë, javë pas jave e kemi parë sesi, pavarësisht akuzave të bëra, Gjiknuri është shfaqur vazhdimisht me kolegë të Partisë Demokratike.
Disa herë hapa larg Parlamentit, në takime larg syrit të gazetarëve dhe kamerave, disa herë një përshëndetje shkarazi dhe disa herë, një takim si ky, në dukje tërësisht kortezie. Kur ka qenë duke lënë ambientet e Parlamentit, Gjiknuri është ndeshur me Oerd Bylykbashin dhe ky i fundit është shkëputur për ta takuar.
Por ajo që na ra në sy ishte fakti se ndonëse të buzëqeshur, dy kolegët rival, ia kanë drejtuar gishtin njëri-tjetrit. Një gjest ky që në gjuhën e trupit, nuk shkon për shtat me buzëqeshjen.
Megjithatë, kolegët kanë vijuar me gishtat e ngritur dhe buzëqeshjen në fytyrë për disa minuta, duke na zbuluar se mes tyre ka vetëm tone miqësore.
