Skip to content

Kapshticë, 4 të arrestuar për 1 ton kanabis të fshehur në kamion

Shkon në katër numri i të arrestuarve për tentativën e trafikut ndërkombëtar të narkotikëve në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës.

 

Lajmi është bërë i ditur zyrtarisht nga Drejtoria e Policisë së qarkut të Korçës, e cila për shkak se hetimet janë ende duke vijuar nuk ka publikuar emrat e të arrestuarve, por vetëm inicialet e tyre të cilët janë A.S. 47 vjeç; Z.H. 56 vjeç; A.M. 50 vjeç dhe M.S. 30 vjeç.

 

Burime të siguruara thanë se sëbashku me dy drejtuesit e mjeteve janë arrestuar edhe të dy pronarët e mjeteve, të cilët dyshohet se kanë qenë në dijeni për sasinë e drogës. Kjo pasi të dyja mjetet kanë qenë të ngarkuara me të njëjtin produkt, si dhe i përkisnin të njëjtit biznes.

 

Gjithashtu në cilësinë e provës materiale u sekuestruan disa mjete, sasi monetare dhe telefona. Megjithëse sasia prej 1074,2 kg e lëndës narkotike të llojit kannabis sattiva është gjetur vetëm në njërin nga kamionët, policia dyshon se edhe drejtuesi i kamionit tjetër por edhe pronari i mjetit kanë qenë të përfshirë në këtë trafik.

 

Kamioni i parë që i është nënshtruar procesit të skanimit ka rezultuar i pastër, ndërkohë që e gjithë sasia e drogës ka qenë e ngarkuar në kamionin e dytë, por ekspertët janë të mendimit se kalimi i kamionit të parë pa lëndë narkotike, i cili është pasuar nga kamioni i ngarkuar me kannabis, ka qenë një manovër e të arrestuarve për t’ja hedhur oficerëve të policisë kufitare, në mënyrë që të arrinin të nxirrnin jashtë kufirit shqiptar sasinë e drogës.

 

Policia vazhdon të jetë hermetike për ngjarjen edhe sepse tashmë çështja i ka kaluar Prokurorisë së Krimeve të Rënda si dhe ekspertëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, pasi është konsideruar një tentativë për trafikim ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

 

Në të tilla kushte nuk është prokuroria e qarkut juglindor dhe policia e Korçës ajo që po ushtron hetimet në këtë ngjarje të fundit por ekspertët e ardhur nga kryeqyteti.

 

Nga ana tjetër nuk dihet ende nëse droga e kapur në Kapshticë ka qënë një operacion i policisë i organizuar apo ishte thjesht rastësi zbulimi dhe sekuestrimi i më shumë se 1 ton kanabis sattiva në kamionët e bllokuar në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, të cilët sipas burimeve kanë pasur si destinacion Turqinë.