Protesta të ashpra të qytetarëve izraelitë po vijojnë të mbahen në Tel Aviv, ku bëhet thirrje për një marrëveshje armëpushimi në Gaza si mundësi për kthimin e të pengjeve në shtëpitë e tyre.

Përleshjet shpërthyen sërish mes policisë dhe protestuesve, ku policët me kalë përpiqeshin të zmbrapsnin turmën për t’i penguar ata të arrinin në autostradën kryesore.

Siç raporton Times of Israel, një oficer policie i ka hequr flamurin izraelit protestuesit. Policia është vënë nën kritika ditët e fundit për akuzat për forcë të tepruar ndaj protestuesve.

Të grumbulluarit brohorasin kundër ministrit të Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, të cilin e konsiderojnë përgjegjës për dhunën e policisë. Demonstruesit brohorasin: “Ben Gvir është terrorist!”

Një protestë përpara selisë së Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) në Tel Aviv mblodhi rreth 2,000 njerëz. Demonstruesit shprehën pakënaqësi me qeverinë dhe kërkuan këmbëngultazi  një armëpushim.

“Një marrëveshje që nuk nënshkruhet i vret të gjithë!”, thërriste turma.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re