I përfolur për pjesëmarrjen në disa akte të rënda kriminale, i ndaluar dhe i liruar disa herë dhe së fundmi i akuzuar se donte të vriste edhe shokun e tij, Durim Bamin, Marklen Haka sillej nëpër Nikël dhe Krujë pa drojën e policisë.
Ai doli në bisedat në rrjetin “SKY ECC” se mes të tjerëve kishte marrë porosi dhe donte të vriste edhe Durim Bamin e madje, këtë porosi e kishte marrë nga Emiliano Shullazi. Por në momentin që policia hyri për të arrestuar Hakën dhe dy vëllezërit Bami, ata nuk u gjendën në banesa dhe policia tha se ishin larguar në drejtim të Dubait.
Nuk dihet se nga ka hyrë Marklen Haka në vendin tonë për derisa policia nuk ka pasur informacion nga sistemi i përpunimit të të dhënave, por mësohet se prej 4 ditësh ai është mbajtur nën vëzhgim në zonat e Krujës, me qëllim që të shmangej rreziku i ndonjë përplasjeje jo vetëm me të, por edhe të disa personave të tjerë që ishin nën shoqërinë e tij. Por dje RENEA ndërhyri dhe e solli në pranga në Tiranë, ku u tha se Haka ishte i armatosur.
KËRKIMI DHE ARRESTIMI
Marklen Haka, i shpallur në kërkim si pjesë e “Bandës së Niklës”, një nga grupet më të rrezikshme kriminale të Fushë-Krujës, që tentoi të vriste kreun e kësaj bande, Durim Bamin, është arrestuar në Nikël të Krujë. Ka qenë ora 14:00 kur RENEA hyri në banesën ku fshihej Marklen Haka, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë. Për 4 ditë (nga data 2 shtator) Haka është mbajtur nën vëzhgim deri në momentin kur dhe është vendosur për të ndërhyrë duke bastisur banesën dhe duke e kapur 33- vjeçarin papritur, zbathur, me bluzë të bardhë e pantallona të shkurtra.
Në momentet kur RENEA ka ndërhyrë, Haka ka tentuar të arratiset, por është ndaluar nga forcat e policisë, ndërsa në banesë iu gjet edhe një armë zjarri. Bashkë me të janë dhe 4 persona të tjerë të ndaluar, por ende nuk ka një akuzë ndaj tyre. Të pyetur se kujt i përket arma tjetër e gjetur në banesë, ata nuk kanë pranuar të jetë e ndonjërit prej tyre. Ndaj tyre pritet të komunikohet akuza e armëmbajtjes pa leje dhe arresti në vijim. Policia thotë se bëhej fjalë për një operacion me shkallë të lartë vështirësie dhe rrezikshmëri.
“Operacioni ishte i një shkalle të lartë vështirësie e rrezikshmërie, ka filluar më datë 02.09.2024 dhe është finalizuar sot (dje) rreth orës 14:00. Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të Liqenit të Bacungut, Nikël, Krujë, ditën e sotme, është bërë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i shtetasit Marklen Haka alias Marklen Aliu”, – informoi policia e shtetit.
Më pas në orët e pasdites Haka është shoqëruar nën masa të rrepta sigurie në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës. 33-vjeçari Haka, i njohur dhe si Marklen Aliu ishte në kërkim nga SPAK në kuadër të hetimeve të dosjes “Revanshi” dhe akuzohet për një serë veprash penale duke përfshirë dhe tentativë vrasje ndaj Durim Bamit, pjesëmarrje në grup kriminal dhe armëmbajtje pa leje. Haka jetonte i fshehur dhe arrestimi i tij u krye në një banesë të të afërmit të tij, ku janë gjetur edhe armë. Bashkë me të janë shoqëruar dhe 5 persona.
Marklen Haka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pas vendimit të Gjykatës së Posaçme më 15 maj të këtij viti për “Arrest me burg” në mungesë për “Vrasje me paramendim” e mbetur në tentativë ndaj Durim Bamit.
“Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi me vendimin 49/31 datë 15.05.2024, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal ‘Arrest në burg’, në mungesë, për veprat penale ‘Vrasja me paramendim’, e mbetur në tentativë në dëm të shtetasit D. B., kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, ‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale’, parashikuar nga nenet 78/2, 22, 28/4, 333/ a/2 dhe 334 të Kodit penal, ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje’, në dëm të shtetasit Durim Bami, kryerja në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, ‘Grup i strukturuar kriminal’ dhe ‘Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal’, parashikuar nga nenet 80, 28/ 4, 333/a e 334 të Kodit Penal, ‘Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit’, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 278/1, 28/4, 333/a/2 dhe 334 të Kodit Penal”.
DY ATENTATET
Marklen Haka, në shtator të vitit 2019 i ka shpëtuar një atentati në derë të shtëpisë së tij, ku mbeti e vdekur halla e tij, Shpresa Basha. Ndërsa ai arriti të shpëtonte vetëm me një plumb në krah. Objektiv i atentatit ishte vetë Marklen Haka, ndërsa halla e tij dyshohet se ishte qëlluar aksidentalisht, pasi kishte hapur derën e jashtme të shtëpisë, në momentin kur ishte qëlluar për vdekje me armë zjarri.
Marklen Haka ka qenë i arrestuar më herët për një vrasje të ndodhur në qershor të viti 2011 në zonën e ishBllokut në Tiranë, por ishte liruar për mungesë provash. Më 8 qershor 2022, ai i shpëtoi një tjetër atentati, në hyrje të fshatit Nikël në Fushë-Krujë, por shpëtoi, duke marrë një plumb në nofull. Në janar të 2022, ai u prangos nga RENEA-s pas një operacioni që çoi në arrest 19 persona.
Një skuadër e tërë me 16 persona i ishin vënë nga pas Durim Bamit me qëllim ekzekutimin e tij, për llogari të ish-deputetit të PS, Arben Ndoka. Financimin për të hequr Durim Bamin e mbulonte Ervis Martinaj. Sipas dosjes së SPAK më 2020, Marklen Haka, ka pasur rolin e sigurimit të informacioneve për lokalizimin e Durim Bami me qëllim vrasjen e tij. Këta informacione Markleni i ndante me Emiljano Shullazi.
Marklen Haka shfrytëzonte njohjen me Durim Bami dhe Valter Bami dhe siguronte informacion në lidhje me automjetet që përdorin, vendet që frekuentojnë dhe personat që shoqërohen me Durim dhe Valter Bami. Këto informacion Marklen Haka i ndante me Emiljano Shullazi që ndodhej në burg, me qëllim që ai t’i ndante këto informacione me personat që do të organizonin vrasjen e shtetasit Durim Bami.
Kujtojmë se më 12 qershor, në Dubai u arrestua Durim Bami, i cili është në akuzë në dosjen “Revanshi” për 4 vepra penale, nga sigurimi i kushteve për vrasje deri tek grup i strukturuar kriminal, kultivim droge dhe kryerje të veprave penale nga organizata kriminale, ose grup i strukturuar kriminal.
/Gazeta Panorama
