Që nga e enjtja, cikloni Boris ka sjellë erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm në disa pjesë të Polonisë, Austrisë, Republikës Çeke, Hungarisë, Rumanisë dhe Sllovakisë.
Shërbimet e urgjencës kanë njoftuar se katër persona kanë gjetur vdekjen në Rumani për shkak të përmbytjeve të shkaktuara nga shirat e rrëmbyeshëm që përfshinë Evropën qendrore dhe lindore.
“Dhjetëra njerëz u shpëtuan nga shtëpitë e tyre në 19 zona të vendit”, shtuan ata.
Ndërkohë edhe në kryeqytetin Pragë, barrierat e qytetit nga përmbytjet janë ngritur, argjinaturat janë mbyllur për publikun dhe kopshti zoologjik është mbyllur, thanë autoritetet çeke.
Evakuimet kanë nisur po ashtu edhe në Poloni pasi lumenjtë janë ngritur në nivele të rrezikshme. Në Poloni , ministri i Brendshëm Tomasz Siemoniak tha se banorët në qytetet e vogla pranë kufirit çek të Moroë dhe Glucholazy, po përballeshin me një situatë të rrezikshme.
“Situata duket shumë e keqe. Gjendja e lumit dhe parashikimet për gjendjen e tij janë ende të këqija,” tha zoti Siemoniak.
Instituti polak i Meteorologjisë dhe Menaxhimit të Ujërave njoftoi më vonë për rrezikun e nivelit të lartë nga katër provincat jugore deri në grykën e lumit Odra në Szczecin, ku derdhet në Detin Baltik.

Austria këtë vit përjetoi gushtin më të nxehtë që nga fillimi i regjistrimeve, sipas institutit federal Geosphere Austria. Aktualusht është dhënë një paralajmërim për 10-20 cm reshje shiu në shumë rajone brenda pak ditësh. Në disa vende, mbi 20 cm është e mundur, veçanërisht në malet e Austrisë së Epërme dhe të Poshtme dhe në Styria e Epërme veriore.
