Po bëhet rreth 1 vit që nga vdekja e vogëlushit 3 vjeçar, Brian Spahiu, i cili ndërroi jetë pas një ndërhyrje në klinikën dentare private, në pronësi të Rolando Xhaxhos.
Gazetari Igli Çelmeta ka zbardhur disa detaje të reja lidhur me ecurinë e hetimeve që po kryhen për këtë çështje, por gjithashtu përgjigjet shokuese të Prokurorisë së Tiranës.
Ai sqaron se Prokuroria e Tiranës ende nuk ka arritur të ngrejë një akuzë për çështjen, duke sjellë kështu dhe “zvarritjen” e hetimeve.
Përmes një raportimi, Çelmeta shprehet se familjarët e 3 vjeçarit kanë kërkuar informacione nga organi i akuzës mbi gjendjen e hetimeve, por përgjigjia nuk është aspak e kënaqshme.
Prokuroria e Tiranës i është përgjigjur familjes Spahiu se nuk kanë të drejtë të kërkojnë informacion mbi gjendjen e procedimit. Ajo çfarë shokon është fakti se ka vijuar duke thënë se vetëm viktima e veprës penale mund të marrë përgjigje mbi ecurinë e hetimeve. Duhet thënë se nëse viktima do të ishte ende në jetë, sërish kërkesën e informacionit mbi hetimet do i bënin familjarët për shkak të moshës së tij.
“Nisur nga më sipër, ju bëj me dije, që, ju si trashëgimtar i viktimës së veprës penale sipas dispozitave ligjore të këtij kodi, nuk keni të drejtë të kërkoni informacion për gjendjen e procedimit.
Këto të drejta sipas parashikimeve ligjore të këtij kodi, konkretisht neni 58, pika d) i ka vetëm viktima i veprës penale dhe gjithmonë pa cënuar parimin e sekretit hetimor. Ndërsa të drejtën për të kërkuar informacion lidhur me arsyet e kryerjes apo jo të një veprmi hetimor nga ana e prokurorit, siç jeni drejtuar me disa pyetje “retotike” në kërkesën tuaj nuk e ka as viktima e veprës penale, pasi këto lloj pyetjesh cënojnë pavarësinë e prokurorit dhe kompetencat e tij në ushtrimin e ndjekjes penale”, replikon Prokuroria e Tiranës drejt familjarëve të 3 vjeçarit Brian Spahiu.

Kujtojmë se më herët raportuam që Prokuroria e Italisë ka kthyer pas ekspertizën mjekoligjore të vdekjes së të miturit, për shkak të mungesës së dokumentacionit. Organi i akuzës shqiptare ka dërguar në letërporosi vetëm letrat dhe jo mostrat e plota.
