Skip to content

Orë të vështira moti për Italinë

Një person ka humbur jetën nga përmbytjet që prekën zona të mëdha të rajonit të Emilia-Romagna-s në Itali, përfshirë kryeqytetin rajonal, Bolonjën, njoftoi agjencia e lajmeve ANSA të dielën, 20 tetor.

Zjarrfikësit gjetën sot trupin e një 20-vjeçari, makina e të cilit u përfshi nga lumi Zena pasi depërtoi argjinaturat në zonën e Pianoros, jo shumë larg Bolonjës.

“Pothuajse të gjithë lumenjtë janë nën alarmin e nivelit të tretë pas shirave të dendur dhe përmbytjeve shkaktuan një situatë më të keqe se ajo e majit 2023, kur 17 persona vdiqën dhe dëmet materiale u rritën në disa miliardë euro”, tha guvernatorja e përkohshme Irene Priolo.

“Bolonja u godit nga një ortek uji”, përshkruan Priolo situatën në atë qytet. Sipas saj, 13 komuna janë në një “situatë kritike”, pasi ranë 175 mm shi në vetëm pak orë.

Gjendja e të gjitha rrugëve në Apeninet, një zinxhir malor rreth 1200 km i gjatë, është gjithashtu kritike, paralajmëroi guvernatorja. Qyteti i Banjokavalos, jo shumë larg Ravenës, u evakuua plotësisht dhe Priolo u kërkoi banorëve në zonën e përmbytur të ndiqnin udhëzimet e kryetarit të bashkisë dhe autoriteteve bashkiake dhe të kërkonin strehim në katet e sipërme të ndërtesave të banimit.

Guvernatori i Bolonjës, Matteo Lepore, paralajmëroi banorët në rrjetet sociale që të mos dalin jashtë ose të përdorin makina. Sipas raportimeve, e gjithë Italia, nga veriu në jug, është nën sulm nga stuhitë dhe shirat e dendur, veçanërisht Siçilia, e cila më parë vuante muaj të tërë thatësire.

Për shkak të reshjeve të dendura, rrugët në Katania u kthyen në përrenj dhe lumenj. Shiu nuk ndalet as në Veneto, Kalabri dhe Lombardi.