Policia e Tiranës ka zbardhur plagosjen e 3 shtatorit në zonën e “Don Boskos” ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.
Sipas burimeve mësohet se është shpallur në kërkim me vendim gjykate “arrest në burg” njëri prej autorëve.
Personi i shpallur ne kerkim eshte identifikuar si Denis Tahiri 23 vjeç.
“Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal”, thote policia.
Njoftimi i policise
Në vijim të njoftimit për ngjarjen e datës 03.09.2024, në një lokal afër xhamisë në Don Bosko, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit K. E. dhe R. M., ju informojmë si më poshtë:
Për hetimin e kësaj ngjarjeje kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga prokurori.
Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal.
Vazhdojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar.
Si ndodhi ngjarja?
Kastriot Elezaj 45 vjeç dhe Renaldo Metushi 22 vjeç po pinin kafe në verandën e një lokali më 3 shtator 2024 në Don Bosko, kur nga një makinë është qëlluar drejt tyre. 45-vjeçari u plagos në krah dhe në mushkëri, ndërsa Metushi 22 vjeçar u plagos në këmbë.
Autorët që mendohet se ishin 3, qëlluan me 7 plumba, dhe u larguan me shpejtësi duke djegur makinën e krimit. Brenda saj u gjet pistoleta me kalibër të vogël 7.65 mm, e pajisur me silenciator, që u përdor në krim.
Shënjestra dyshohet se ka qenë 45-vjeçari Kastriot Elezi, i cili mësohet se është person me precedent të mëparshëm penal.
