Qeveria i bëri thirrjen e parë opozitës së re që pritet të futet në Kuvendin e Shqipërisë për të diskutuar të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë.
Drafti i reformës zgjedhore, e cila përfshin edhe votën e diasporës është depozituar në Kuvend, por për shkak të mungesës së konsensusit me opozitën e larguar nuk është bërë e mundur miratimi i saj.
Përmes një deklarate për mediat ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamenti Elisa Spiropali i ka bërë thirrje opozitës së re që të bashkojë votat me PS për tu dhënë emigrantëve të drejtën e votës. Edhe pse PS ka depozituar në Kuvend draftin për reformën zgjedhore, ende nuk ka kaluar në seancë, për shkak të mungesës së konsensusit nga ana e opozitës së dorëhequr.
“Për fat të keq, bllokimi i Kuvendit nga opozita e ka bërë të pamundur debatimin e kësaj teme me rëndësi kombëtare, ndaj gjejmë rastin që t’i bëjmë thirrje e njëkohësisht të theksojmë se mbetemi shpresëplotë që opozita të marrë seriozisht këtë çështje, duke e bërë pjesë të bisedimeve të reformës së ardhshme zgjedhore. Bashkëpunimi i opozitës së re në Kuvend do të nevojitet edhe për kalimin e ndryshimeve në vetëqeverisjen vendore, një ligj që kërkon 3/5 për të bërë realitet krijimin e një zyre speciale, të dedikuar për diasporën në çdo njësi administrative.”
Ndërkohë që në Samitin e Diasporës është diskutuar krijimi i Bankës së Diasporës si dhe ngritjen e Dhomës së Përbashkët të Biznesit të Diasporës, që do të përfaqësojë të gjithë bizneset e diasporës së Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë.
