Institucioni i Presidentit ka raportuar ditën e sotme në Komisionin e Ligjeve ku ka paraqitur kërkesat për financime në buxhetin e ri vitit 2025.
Gjatë seancës, Sekretarja e Përgjithshme e Presidencës, Valbona Lusha ka deklaruar se institucioni i kreut të Shtetit ka reduktuar personat e kualifikuar, në këtë mënyrë ka rritur efikasitetin në ushtrimin e detyrave.
“Në zërat 600 dhe 601, në zërin paga dhe Sigurime shoqërore, realizimi në këtë masë të buxhetit vjen për arsye të mos plotësimit të numrit të punonjësve sipas organikës së miratuar. I është kushtuar rëndësi, investimit të kapitalit njerëzor dhe reduktimit të personave të kualifikuar në Institucionin e Presidentit të Republikës për të rritur efikasitetin dhe cilësinë në ushtrimin e detyrave funksionale. Zërat për shërbime dhe materiale deri tani janë realizuar në masën deri në 52 perqind”, u shpreh Valbona Lusha, sekretarja e Pergjithshme e Presidences.
Me gjasa Sekretarja e Përgjithshme është kapur nga emocionet e raportimit para deputeteve, ka dashur të thotë “rekrutim”, por përdori termin “reduktim” të personave të aftë në punë.
I vetmi që me duket në pamje që e ka kapur këtë lapsus ishte Arjan Kadare, këshilltari i Presidentit i cili duket në video që tenton ta sinjalizojë për lapsusin që bëri në Kuvend.
