Skip to content

Intervista/ “S’mund të presim që Amerika të vijë këtu”, Fatmir Mediu: Kush e ndryshon kursin politik në Shqipëri! 4 mësimet që opozita duhet të marrë nga fitorja e Trump

VALENTINA MADANI/ I sapo kthyer nga Amerika ku bashkë me demokraten Albana Vokshi vëzhguan zgjedhjet presidenciale në SHBA, Fatmir Mediu përcjell mesazhin e qartë se fitorja e Donald Trump duhet kuptuar nga opozita se si politika dhe lidershipi krijojnë shpresë dhe besim të qytetarët.

Mediu tregon se sa e njeh administrata e re e z.Trump realitetin shqiptar dhe në mënyrë konkrete situatën ku ndodhet sot opozita. Sipas tij kjo njohje nuk është e mjaftueshme ndaj z.Mediu thotë për gazetën “Panorama” se opozita duhet të shpjegojë me durim situatën e rëndë në Shqipëri, por dhe të dëgjojë dhe kuptojë se bashkëpunimi me Amerikën është një marrëdhënie e dyanshme. Për Fatmir Mediun, fitorja e Donald Trump duhet kuptuar nga opozita se si politika dhe lidershipi krijojnë shpresë dhe besim te qytetarët. Por teksa flet për ndikimin në Shqipëri të fitores së Donald Trump, Mediu shprehet se kursin politik në vend e ndryshojnë shqiptarët dhe opozita. Sipas tij opozita nuk duhet të presë të vij Amerika këtu, por duhet të luftojë fort për ta bërë të njohur realitetin shqiptar, por mbi të gjitha si mund të ndryshojë ky realitet i papranueshëm.

Z.Mediu, Donald Trump fitoi gjithçka, po Shqipëria?

Donald Trump fitoi me amerikanët, të cilët donin një ekonomi më të fortë amerikane dhe familjare, Amerikë më të sigurtë e parimeve të themeluesve të shtetit amerikan bazuar mbi besimin dhe lirinë, vlerën e familjes kundër shtrembërimeve për interesa politike të majta. Shqipëria duhet, të fitojnë shqiptarët, janë rreth 1 milion të rinj e të reja intelektuale dhe profesioniste që janë larguar për shkak të korrupsionit qeveritar, krimit, mungesës së lirisë dhe varfërisë ekonomike. Fitorja e Donald Trump duhet kuptuar nga opozita se si politika dhe lidershipi krijojnë shpresë dhe besim te qytetarët, ku idetë e djathta për lirinë, familjen dhe ekonominë janë vlera jo vetëm për shoqërinë amerikane, por dhe atë shqiptare. Fitorja e Trump është një mësim për të qenë real në luftën kundër së keqes së qeverisë, krimin dhe korrupsionin, por dhe vizionin dhe shpresën që e mira e shqiptarëve mund ta mundë të keqen e të majtës shqiptare.

Besoni se nën administratën e Presidentit Trump, gjërat do të ndryshojnë edhe për Shqipërinë?

Shpresoj që të ketë një vështrim më konkret të problemeve të rënda të demokracisë dhe sigurisë së Shqipërisë, respektimin e Kushtetutës dhe ligjit dhe mbi të gjitha garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

A do të ndryshojë kursi politik në Shqipëri, me ardhjen e Donald Trump si president i ShBA-ve?

Kursin politik të Shqipërisë e ndryshojnë shqiptarët dhe opozita, duke krijuar një raport të vërtetë mes vetes dhe pastaj me SHBA-të, BE dhe partnerët e tjerë. Opozita nuk duhet të presë të vijë Amerika këtu, por duhet të luftojë fort ta bërë të njohur realitetin shqiptar, por mbi të gjitha si mund të ndryshojë ky realitet i papranueshëm dhe si do ndërtohet një partneritet i qëndrueshëm me SHBA, e cila siguron një Shqipëri demokratike dhe faktor i rëndësishëm rajonal stabiliteti si vend anëtar i NATO-s.

Z.Mediu, bashkë me deputeten Albana Vokshi ju ndoqët nga afër zgjedhjet presidenciale në SHBA në kuadrin e një misioni vëzhgues. Ajo ishte një garë ku gjithçka shkoi në favor të republikanëve por a ka vend për të nxjerrë opozita mësimet e veta?

Mendoj që fitorja e republikanëve ishte e jashtëzakonshme dhe ndoshta e papritur në këto përmasa. Presidenti Trump arriti një fitore të jashtëzakonshme duke i pasur të gjithë kundër, por po ashtu e jashtëzakonshme ishte fitorja e Senatit dhe mbajtja e kontrollit të Kongresit (dhomës së përfaqësuesve). Organizimi i Republikanëve në çdo nivel me një infrastrukturë dhe organizim kapilar ishte i jashtëzakonshëm, po ashtu dhe marrëdhënia me grupe të ndryshme dhe interesat e tyre, mbi të gjitha përzgjedhja e kandidaturave fituese duke dalë jashtë strukturave republikane. Padyshim opozita shqiptare ka shumë për të mësuar e para kandidatët për deputet nuk mund të dalin ditët e fundit të fushatës, sepse janë ata që do luftojnë për të marrë dhe ruajtur votat. Koalicioni i opozitës duhet të ndërtohet sa më shpejt. Mesazhet duhet të jenë të qarta dhe të kuptueshme, për ekonominë, sigurinë, lirinë, familjen dhe besimin, mesazh të thjeshtë dhe të kuptueshëm e të besueshëm për vlerat e djathta. Përfshirja në politikë dhe garë parlamentare dhe qeverisëse e intelektualëve të rinj që janë tej pragut dhe interesit të ngushtë të një partie politike apo drejtuesve të tyre. Të rinj dhe të reja të suksesshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Gjatë takimeve të zhvilluara në SHBA a i bëtë më të spikatura problemet që ka sot shoqëria shqiptare?

Pavarësisht nga situata në Amerikë ajo ka një kontrast të qartë me Shqipërinë. Në Shqipëri dominon krimi dhe korrupsioni, i lidhur me qeverinë, pamundësia e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe persekutimi politik i opozitës. Siç thashë edhe më sipër opozita duhet të shpjegojë me durim situatën e rëndë në Shqipëri, por dhe të dëgjojë dhe kuptojë se bashkëpunimi me Amerikën është një marrëdhënie e dyanshme.

Pse u ekzaltua opozita nga fitorja e Trump?

Padyshim e para mendoj jashtë çdo euforie, apo diskutimi absurd, opozita mbështet fitoren e një partie dhe President të djathtë. Së dyti, për shkak se shumë çështje për ekonominë, sigurinë dhe familjen janë çështje që kanë ngjashmëri dhe me Shqipërinë, por që duhet t’i bëjmë të kuptueshme për shqiptarët. Së treti, mendoj se një Amerikë e fortë ekonomikisht dhe ushtarakisht i shërben dhe një sigurie në Ballkan dhe interesit shqiptar. Së katërti, krijon një mundësi për një vlerësim më real të situatës në Shqipëri.

Gjatë takimeve që zhvilluat përgjatë këtyre ditëve në Amerikë, përfshi edhe përfaqësues të administratës së re të Presidentit Trump, a morët garanci për mbështetjen opozitës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare?

Ne shkuam për vëzhgimin e zgjedhjeve. Vizita e organizuar e opozitës në Parlamentin Europian në Strasburg duhet të shoqërohet me një organizim të tillë dhe në SHBA për të ndërtuar të njëjtin kuptim dhe bashkëpunim si me partitë popullore dhe konservatore europiane. Kështu do të fitojmë mbështetjen dhe partneritetin me Kongresin dhe administratën amerikane për zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit qeveritar dhe padyshim të një drejtësie që bazohet në kushtetutë dhe ligj dhe nuk përdoret politikisht kundër opozitës. Kjo marrëdhënie partneriteti do të ndikonte në sqarimin e shumë situatave dhe ndërtimin e një marrëdhënie të qëndrueshme

Sa e njeh administrata e re e z.Trump realitetin shqiptar dhe në mënyrë konkrete situatën ku ndodhet sot opozita?

Ka padyshim një njohje të situatës në Shqipëri, jo siç duam ne të jetë prandaj ka nevojë për punë të vazhdueshme. Do të ishim naiv të besonim ose të mendojmë se Shqipëria është në qendër të vëmendjes. Ne duhet ta kthejmë atë në vëmendjen e miqve tanë jo vetëm si problem por dhe si zgjidhje.

Si do të ndikojnë në këtë rast lidhjet tuaja me republikanët amerikanë?

Unë jam shqiptar i djathtë, opozitar dhe në këtë kuadër kam zhvilluar dhe do i zhvilloj marrëdhëniet e mia kudo. Duke vendosur interesin kombëtar dhe atë të Shqipërisë në plan të parë si dhe padyshim një marrëdhënie të opozitës që i shërben një Shqipërie që të meritojë faktin e të qenit anëtar i NATO-s dhe me një perspektivë të qartë europiane.

Cilët janë disa nga faktorët pozitive dhe negativë të zgjedhjes së Donald Trumpit si President i SHBA-së që lidhen me Shqipërinë?

Presidenti Trump nuk është Presidenti tipik tradicional, por është atipik dhe mendoj që mandati dytë do jetë më i mirë se sa i pari. Një pjesë e njerëzve që janë zgjedhur dhe kanë marrë përsipër drejtimin e departamenteve kyçe të politikës së jashtme, sigurisë dhe inteligjencës kanë jo vetëm eksperiencën, por edhe njohjen për Ballkanin, mbi të gjitha kanë njohje dhe marrëdhënie me shqiptarët. Kam pasur nderin që me një pjesë të tyre të jem njohur dhe bashkëpunuar ndër vite. Shqiptarët nuk mund të lejojnë që graviteti i marrëdhënieve me SHBA-të të zhvendoset drejt Serbisë. Kjo do kishte pasoja prandaj duhet: 1-Bashkëpunimi i të gjithë faktorit politik shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. 2-Heqja dorë nga qëllimet paternaliste të Tiranës ndaj Kosovës. Kosova ka të gjithë potencialin politik dhe intelektual të trajtojë çështjet e saj dhe Shqipëria duhet ta mbështesë dhe jo t’i mbivendoset. 3- Heqja dorë nga Rama dhe qeveria shqiptare nga “bashkëpunimi vëllazëror me Serbinë” më e pakta kjo është naive, Serbia i ka treguar qartë qëllimet e saj kundër Kosovës, Bosnjës dhe Malin e Zi. 4-Shqipëria duhet të ndërtojë një koalicion politik ekonomik dhe mbi të gjitha ushtarak me vendet e NATOs në Ballkan, Slloveni, Kroaci, Malin e Zi dhe Maqedoni e Veriut duke përfshirë Kosovën dhe në mënyrë të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes së bashku të zgjerojnë konkretisht bashkëpunimin me industrinë ushtarake amerikane

Me apo pa mbështetjen e Donal Trump, sa i mundshëm është rikthimi i të djathtës në pushtet?

Me zgjedhje të lira dhe të ndershme asnjëherë nuk fiton as Edi Rama dhe as Partia Socialiste, prandaj garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të barabarta dhe bashkëpunimi me BE dhe SHBA për të garantuar lirinë e shqiptarëve për të zgjedhur, është lufta dhe detyra primare e opozitës./Gazeta Panorama

“”