Skip to content

DETAJE/ Ekzekutuan biznesmenin Eduart Reçi, si u zbuluan dy vëllezërit. Konflikti i pronësisë mes palëve

640 0 0130c958d8cd6c73a13d50c0fcf48d1a

Pas 11 ditësh, policia ka zbardhur vrasjen misterioze të ndërtuesit Eduart Reçi, i cili u ekzekutua me një plumb në kokë, në afërsi të banesës së tij pranë rrugës së “Elbasanit” në kryeqytet.

Në pranga, si autorë të dyshuar janë vënë dy vëllezër, Florian dhe Shkëlqim Duka, ky i fundit efektiv policie.

Ata kanë rënë “në dorën” e Policisë pas kryerjes së eksperimentit hetimor dhe këqyrjes së kamerave të sigurisë përreth zonës, e po ashtu nga mbledhja e provave të tjera.

Dyshohet se viktima dhe autorët kanë qenë në një konflikt pronësie.

Policia e Tiranës ka dhënë më shumë detaje në lidhje me vrasjen e biznesmenit Eduard Reçi, i cili u ekzekutua më 13 nëntor 2024, pranë Rrugës së Elbasanit. Burimet nga hetimi bëjnë me dije se ekzistojnë dyshime se autori mund të jetë një polic ose ish-polic.

Njoftimi:

“Sekuestrohen prova materiale që shërbejnë për dokumentimin ligjor të ngjarjes.

Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga grupi i posaçëm hetimor në drejtimin Prokurorisë, për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve, ju informojmë se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ndaj Jetës bazuar në provat e grumbulluara nga hetimi intensiv, arrestuan shtetasit Sh. D., 48 vjeç, (oficer Policie) dhe F. D., 45 vjeç, (vëllezër),të dy banues në Tiranë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” e kryer ne bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga nenet 78 e 25 dhe 278/1/4 të Kodit Penal.

Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, administrimit të provave dhe ekzaminimeve të ndryshme kriminalistike, administrimit të dokumenteve, grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të personave si autorë të dyshuar të kësaj ngjarje.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës, më datë 23.11.2024 është ushtruar kontroll në ambientet e lokalit dhe banesës së 2 vëllezërve dhe në magazinën e lokalit janë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pjesërisht e dëmtuar, gjashtë objekte cilindrike te ngjashme me silenciatorë me përmasa të ndryshme, pjesë dhe mekanizma të ndryshëm që përdoren për silenciatorët, dy jelekë antiplumb dhe pajisje të ndryshme elektronike të cilat dokumentojnë veprimtarinë dhe dinamikën e autorëve të dyshuar të kësaj ngjarje.

Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se shtetasi E. R., po angazhohej për të ndërtuar një pallat, ndërtimi i të cilit kërkonte bashkëpunim dhe dakortësim edhe me persona të tjerë (kufitar me pronën e viktimës).

Ndër personat me të cilët shtetasi E. R., kishte diskutuar lidhur me këtë problematikë dhe ka pasur konflikt mbi pronësinë e truallit, janë vëllezërit F. D., dhe Sh. D.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.”

Reçi u dërgua në Spitalin e Traumës, ku ndërroi jetë rreth orës 04:00 të mëngjesit të 14 nëntorit. Hetimet e policisë kanë çuar në sekuestrimin e kamerave të sigurisë nga bizneset përreth, megjithatë, errësira ka vështirësuar identifikimin e autorëve. Pamjet tregojnë momentin kur Reçi bie në tokë pas të shtënës, ndërsa zhurma e plumbit është regjistruar nga disa kamera të sigurisë.

Familjarët e tij janë pyetur nga hetuesit, të cilët kanë konfirmuar se nuk kanë pasur njohuri për ndonjë konflikt të mundshëm të Reçit. Vrasja është duke u hetuar në disa pista, duke përfshirë edhe mundësinë e lidhjes me të kaluarën e tij si drejtor i SHISH-it në vitin 1996. Pas vitit 2000, Reçi u përfshi në biznesin e ndërtimit, ku ka realizuar projekte të njohura si ndërtimi i pallateve me firmën “ELGM”.