Sipërmarrësi i kriptovalutave, Justin Sun, ka përmbushur zotimin që bëri pasi shpenzoi 6.2 milionë dollarë për të blerë një vepër arti, e cila konsistonte në një banana të ngjitur në mur, duke e konsumuar frutin.

34-vjeçari Sun, e ndau momentin me dhjetëra gazetarë dhe influencerë të pranishëm në një prej hoteleve më te kushtueshme të Hong Kongut, ku mbajti edhe një fjalim, duke e cilësuar veprën e artit si “ikonike”, ndërsa e krahasoi artin konceptual me kriptovalutat.

“Është shumë më e mirë se bananet e tjera,” tha Sun pasi kafshatës së parë “Është vërtet e shijshme.”

E titulluar “Komediani”, vepra konceptuale e krijuar nga artisti italian Maurizio Cattelan, u shit gjatë një ankandi në Nju Jork javën e kaluar. Mes shtatë pretendentëve për ta blerë këtë vepër, Sun bëri ofertën më të lartë.

Shfaqja për herë të parë e kësaj vepre gjatë një ekspozite në Miami Beach në 2019-ën shhkaktoi mjaft diskutime dhe ngriti dyshime nëse duhej konsideruar vepër arti ose jo.

Ndërkohë, më herët gjatë kësaj jave, Sun njoftoi një investim prej 30 milionë dollarësh në kompaninë e kriptomonedhave “World Liberty Financial”, një projekt që gëzon edhe mbështetjen e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump. Sipërmarrësi u akuzua në SHBA për shitjen e aksioneve të paregjistruara në SHBA në lidhje me projektin e tij të kriptovalutave, të njohur si projekti “Tron.” Çështja ndaj Sun vijon të jetë e hapur.

Sun deklaroi se kishte vendosur ta blinte veprën e artit vetëm pak kohë më parë, pasi kishte disa pyetje naive, si përshembull, nëse fruit ishte kalbur me kalimin e kohës dhe se si mund të vlerësohej si vepër.

Sipas mediave, banania ishte blerë për më pak se 1 dollar në një tezgë frutash në Manhattan, nga një shitës i quajtur Shah Alam, i cili punonte aty për 12 dollarë në orë. Pasi mësoi nga një reporter i “New York Times” se banania ishte rishitur si vepër arti për miliona dollar, shitësi 74-vjeçar u përlot. “Unë jam i varfër,” tha ai për gazetën amerikane, “Nuk i kam patur kurrë aq para; nuk i kam parë ndonjëherë me sy.”

Sun u zotua se do të blinte 100.000 banane nga tezga e Alam në Manhattan dhe shtoi se do t’i shpërndante ato në të gjithë botën si simbol “i lidhjes së bukur që ekziston mes artit dhe jetës së përditshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re