Ky është automjeti i 27-vjeçarit, Julian Gjoshi, i akuzuar për vrasjen e Alfred Dedjas, krim i ndodhur në lokalin e njohur “Kështjella” në zonën e Ndroqit pasditen e së dielës (1 Dhjetor).
Automjeti tip “Benz ML” i kunatit të Altin Hajrit u gjet ditën e sotme tek zona e Shkëmbit të Kavajës, ndërsa autori i dyshuar i vrasjes vijon të jetë ende në arrati.
Gjithashtu, edhe arma me të cilën 27-vjeçari qëllloi Alfred Dedja, i cili njihet edhe me nofkën “Daku”, ende nuk është gjetur.
Viktima dhe autori mësohet se kishin njohje me njëri-tjetrin, si edhe ishin miq. Të dy, sipas dëshmitarëve, e frekuentonin shpesh zonën e Ndroqit dhe lokalin ku ndodhi vrasja.
Krimi ndodhi brenda lokalit dhe sipas dëshmitarëve, mes autorit të dyshuar të krimit dhe viktimës ka pasur një debat, përpara se 27-vjeçari të qëllonte me armë zjarri në drejtim të “Daku”-t.
Raportohet se Julian Gjoshi ka qëlluar 5 plumba, por vetëm 3 plumba kanë kapur në trup 50-vjeçarin, i cili humbi jetën në vendngjarje.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, rezulton se disa ditë më parë ka pasur një sherr mes viktimës dhe autorit.
